'Po ndërtojmë shtëpi për njerëz që nuk i kemi'/ Armand Shkëmbi paralajmëron krizën e thellë në sektorin e industrisë së ndërtimit
Agjenti imobiliar Armand Shkëmbi, ka ndarë një analizë të detajuar nga studioja e “Kafe Shqeto”, ku në fokus të deklaratës së tij ishte situata alarmante që po përjeton industria e ndërtimit, e cila po ecën drejt një pike pa kthim.
Shkëmbi ngre shqetësimin se shumë prej iniciativave që po ndërmerren nga institucionet apo aktorët e tregut janë të vonuara dhe nuk adresojnë problemet thelbësore që e kanë pllakosur sektorin prej kohësh.
Sipas tij, ndërtimet masive që po kryhen në qytetet kryesore të vendit nuk përputhen me realitetin demografik të Shqipërisë, e cila prej vitesh është në rënie të ndjeshme të popullsisë.
Ai e konsideron këtë një krizë të paralajmëruar, ku miliona euro janë bllokuar në forma pasive investimi, të cilat ai i quan “lekë dembelë” që nuk gjenerojnë ekonomi reale dhe nuk krijojnë zhvillim të qëndrueshëm.
"Shqipëria sot është duke humbur popullatën dhe duke shtuar ndërtesat dhe kjo situatë do analizë të thellë edhe zgjidhje urgjente dhe ne duhet të kuptojmë se në këtë industri ne kemi të bllokuara të paktën 10 miliardë euro, që quhen ‘lekë dembelë"- u shpreh Shkëmbi.
Armand Shkëmbi:
"Mendoj se është iniciativë e mirë, por nuk besoj se do e zgjidhë situatën e ndërtimit në Shqipëri.
Unë mendoj se në industrinë e ndërtimit ne jemi ‘too little, too late’, pra jemi duke ndërmarrë veprime shumë vonë sepse elefanti i madh që ne bëjmë sikur nuk e shohim, është se ne po ndërtojmë prona për ato njerëz që nuk i kemi.
Shqipëria sot është duke humbur popullatën dhe duke shtuar ndërtesat dhe kjo situatë do analizë të thellë edhe zgjidhje urgjente dhe ne duhet të kuptojmë se në këtë industri ne kemi të bllokuara të paktën 10 miliardë euro, që quhen ‘lekë dembelë’.
Kjo do të thotë se këta lekë nuk përdoren, shumica e shqiptarëve janë përpjekur të gjejnë një rrugë të shpejtë duke investuar para nëpër prona që janë në gropë, dhe duke ndërtuar kështu skemën e madhe të spekulimit dhe ne na duhet t’i japim fund kësaj situate përpara se të bëhet aq e madhe, sa të na përpijë të gjithëve brenda.
Unë mendoj që çfarëdo lloj iniciative të ndërmarrësh, tani më është vonë. Tregu është si cunami, kur vjen nuk pyet fare se çfarë iniciative ke marrë ti, p.sh. në muaj janar do nisë dhe rivlerësimi i pronave dhe ky proces do nxjerrë të paktën nja 10 mijë prona në Tiranë, kush e di sa mijëra prona të tjera në bregdet sepse njerëzit i kanë mbajtur të pahetuara ngaqë ishin taksat e larta.
Ne kemi më shumë shtëpi sesa banorë, dhe çmimet herët a vonë do të bien.
Mund të kemi një shtysë 6-muajshe pa ëndrra dhe shpresojmë se situata do e rimarrë veten, por ne do shkojmë atje ku e kemi nisur, çmimet do të bien në nivele europiane".