Zyrtare/ Mbappé trashëgon fanellën legjendare me numrin 10 te Real Madridit
Kylian Mbappé do të mbajë numrin 10 në fanellën e Real Madridit, duke trashëguar kështu shiritin që la pas Luka Modric pas largimit të tij nga klubi. ‘Ylli’ francez e njoftoi këtë ndryshim për ndjekësit e tij në rrjetet sociale me një postim të thjeshtë, vetëm me numrin 10, që simbolizon rolin e tij udhëheqës në projektin e klubit.
Gjatë sezonit të parë si madrilen, Mbappé mbante numrin 9, por tani ai do të bartë numrin e legjendarit kroat, i cili për 13 vite ishte një figurë kyçe në mesfushën e “Los Blancos”. Ndryshimi është më shumë se një numër, ai tregon edhe riorganizimin e hierarkisë në skuadër, pasi numri 9 mbetet i lirë dhe pritet të gjejë pronarin e ri.
Në karrierën e tij, Mbappé kishte mbajtur numrin 10 vetëm në përvojat e tij të hershme me Monaco dhe në ekipet e moshave, ndërsa tani e përdor atë edhe në përfaqësuesen e Francës. Ky numër nënvizon rolin e tij si lider dhe figurë qendrore në Real Madrid.
Ky ndryshim ka edhe një dimension të fortë marketingu. Fanellat me emrin e Mbappé-së dhe numrin 10 do të jenë një nga produktet më të kërkuara të sezonit në dyqanet zyrtare të klubit. Çmimi fillestar është 125 euro për versionin standard, ndërsa versioni ‘pro’ për lojtarët shkon deri në 175 euro. Real Madrid shpreson të përsërisë suksesin e madh që pati kur u prezantua Cristiano Ronaldo me numrin 9 në vitin 2009, kur shitjet e fanellave arritën në miliona dhe sollën fitime rekord.
Me Mbappé-në si fytyrë kryesore dhe numrin 10 në shpinë, Real Madrid po hap një kapitull të ri të sukseseve sportive dhe komerciale.