Skandal në Tour de France: Bruyneel shfaqet në zonën e ekipeve, pavarësisht skualifikimit të përjetshëm për doping

Një valë polemikash ka përfshirë Tour de France pas shfaqjes së Johan Bruyneel, ish-drejtor sportiv i Lance Armstrong, në fshatin e nisjes së një prej etapave të garës më të madhe të çiklizmit. Bruyneel, i dënuar përjetë për përfshirje në skandalet e dopingut të viteve 2000, është parë në zonën e rezervuar për skuadrat dhe medien.

Sipas raportimeve, ai ndodhej aty për të marrë pjesë në emisionin televiziv "Vive le Vélo" të kanalit belg VRT1. Megjithatë, kjo prani ka shkaktuar reagime të forta, pasi Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI) kujtoi se me vendim të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), më 25 tetor 2018, Bruyneel është i ndaluar përjetësisht të marrë pjesë në çdo aktivitet zyrtar çiklistik apo të hyjë në zona të mbyllura për publikun.

“Pavarësisht se si spektator i thjeshtë mund të ndjekë një garë të regjistruar në kalendarin ndërkombëtar të UCI-së, ai nuk ka asnjë të drejtë të jetë në zonat zyrtare të garës”, deklaroi institucioni në një komunikatë. UCI shtoi se ka kontaktuar organizatorët e Tour de France, Amaury Sport Organisation (ASO), për të kuptuar nëse Bruyneel ka marrë akreditim zyrtar dhe si ka ndodhur hyrja e tij në fshatin e ekipeve, duke kërkuar që të mos i jepet më kurrë leje për qasje të tillë.

Prania e krahut të djathtë të Armstrong në një hapësirë të tillë, pavarësisht pezullimit të përjetshëm, shihet si një shkelje e rëndë e rregullave dhe një provokim i panevojshëm në një sport që vazhdon të përpiqet të pastrojë imazhin e tij nga e kaluara e errët e dopingut.