Zyrtare/ Barcelona, godet me Rashford-in, e merr në huazim nga Manchester United
Marcus Rashford është zyrtarisht lojtar i ri i Barcelonës. Si klubi katalanas, ashtu edhe Manchester United kanë njoftuar transferimin e sulmuesit anglez të lindur në vitin 1997 në Katalonjë, në formë huazimi për gjithë sezonin e ardhshëm.
Rashford, i cili në gjashtë muajt e fundit kishte veshur fanellën e Aston Villës, ku realizoi 10 gola në 17 paraqitje në të gjitha kompeticionet, largohet kështu nga Anglia dhe nga klubi që e rriti, Manchester United, me të cilin ka zhvilluar 426 ndeshje, ka shënuar 138 gola dhe ka fituar pesë trofe.
Sipas Sky Sports, Barcelona do të paguajë të plotë pagën e përfaqësuesit anglez dhe do të ketë mundësinë ta blejë përfundimisht në fund të sezonit për rreth 30 milionë euro. Për të është rezervuar fanella me numrin 14.
Deklarata zyrtare e klubit spanjoll:
“Barcelona dhe Manchester United kanë arritur një marrëveshje për huazimin e Marcus Rashford deri më 30 qershor 2026. Marrëveshja përfshin gjithashtu një opsion blerjeje për sulmuesin anglez.
Lojtari ka nënshkruar kontratën me Barcelonën këtë të mërkurë pasdite, në një ceremoni private ku morën pjesë presidenti Joan Laporta, drejtori sportiv dhe disa anëtarë të tjerë të bordit drejtues.”
I lindur në Manchester, sulmuesi i ri i Barcelonës e nisi karrierën e tij si portier, në ekipin e vogël lokal Fletcher Moss Rangers. Aftësitë e tij të hershme tërhoqën vëmendjen e klubeve të mëdha angleze, por në fund ai iu bashkua Manchester United në moshën 7-vjeçare, duke arritur deri në ekipin e parë, ku debutoi më 25 shkurt 2016, gjatë sezonit 2015/16.