VIDEO/ Vendos goli i Saka, Milan e nis me humbje turneun veror ndaj Arsenalit
Milan ka debutuar me humbje nën drejtimin e Massimiliano Allegrit në miqësoren ndaj Arsenalit në Singapor, e vlefshme për turneun veror të përgatitjeve. ‘Gunners’ u imponuan me rezultatin 1-0, falë një goli të Saka në minutën e 53-të, duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes kuqezi pas një topi të gjatë nga Kiwior. Pavarësisht disa momenteve pozitive në pjesën e parë, skuadra italiane pati shumë vështirësi në ndërtim dhe në finalizim, me Leao dhe Pulisic që nuk arritën të bënin diferencën në një partneritet ofensiv të lehtë fizikisht.
Allegri eksperimentoi me një formacion 3-5-2, duke përfshirë elementë si Saelemaekers dhe Bartesaghi në krahë, ndërkohë që mungonin emra të rëndësishëm si Maignan, Fofana, Modric apo Gimenez. Arsenali dominoi me 70% të posedimit dhe krijoi më shumë raste, por u ndal disa herë nga portieri i ri Torriani, i cili u bë figura më e spikatur e Milanit me tri pritje vendimtare në fundin e ndeshjes.
Pas përfundimit të sfidës, u zhvilluan edhe goditjet e penalltive, të cilat përfunduan 6-5 në favor të kuqezinjve. Torriani shkëlqeu sërish, duke ndalur tri penallti të Arsenalit dhe duke konfirmuar potencialin e tij. Megjithatë, rezultati nuk fsheh problemet e një Milani ende në ndërtim, që pritet të përforcohet edhe me afrimin e Estupiñán dhe ndoshta emra të tjerë në javët e ardhshme.