VIDEO/ Balaj para sfidës me Vikingur: Besim kemi, por kualifikimi arrihet në dy ndeshje
Vllaznia rikthehet nesër në mbrëmje në arenën europiane, teksa në “Loro Boriçi” do të presë islandezët e Vikingurit në sfidën e parë të turit të dytë të UEFA Conference League. Me moralin e ngritur pas përmbysjes kundër Letonisë në raundin e parë, kuqeblutë synojnë një tjetër hap përpara në rrugëtimin kontinental. Kapiteni Bekim Balaj, një nga figurat kyçe të këtij edicioni europian për shkodranët, foli për mediet në prag të kësaj sfide, duke treguar besim, kujdes dhe dëshirë për të bërë më shumë, ndërsa theksoi rëndësinë e tifozëve dhe përgatitjen serioze që skuadra ka kaluar për të përballuar një kundërshtar më të rrezikshëm e më të stërvitur fizikisht.
“Normalisht ndeshje e rëndësishme, arritëm të kalojmë turin e parë. Me vështirësitë e veta, kthehemi në Shkodër dhe “Loro Boriçi”. Besoj edhe mbështetja e tifozëve do jetë shtysë më e madhe për ne dhe shpresoj t’ia dalim me sukses.
Kualifikimi rrit entuziazmin, besimin. Ne e kishim besimin dhe pse morëm rezultat që nuk na favorizoi ndeshjen e parë. Besimi ishte i madh, e treguam në ndeshjen e dytë dhe arritëm ta kthejmë.
Normalisht kundërshtar tjetër, cilësitë dihen. Vijnë në mes sezoni, janë aktiv me ritëm dhe minuta e ndeshje, ndoshta kjo është pjesë që i favorizon në krahasim me ne. Kemi forcë dhe besimi i çunave është i madh, do provojmë çdo gjë për t’u kualifikuar.
Hera e kaluar me islandezë? Ndoshta ndeshje me dy fytyra, pasi në Islandë bëmë një ndeshje të mirë deri diku. Në “Loro Boriçi” nuk u nis në mënyrën më të mirë, për 10 minuta gola të shpejtë të pësuar që prishën ndeshjen. Është histori tjetër. Luajmë në turin e dytë, vijmë pas një kualifikimi, me entuziazëm dhe besim kështu do shohim.