Historia makabre e 'Sinodit të Kufomës', kur u gjykua kufoma e një pape

Historia makabre e "Sinodit të Kufomës". Kur u gjykua kufoma e një pape

Në vitin 897 e.s., kufoma e papë Formozit u zhvarros dhe u gjykua nga një prej pasardhësve të tij, papë Stefani VI, dhe Formozi u shpall fajtor.

Kisha Katolike ka gjykuar shumë figura të njohura gjatë historisë, përfshirë Galileo Galilein, Zhan D'Arkën dhe Martin Luterin. Por gjyqi më i çuditshëm në historinë e Kishës ndodhi në shekullin e nëntë. I njohur si Sinodi i Kufomës (Cadaver Synod), ky ishte gjyqi ndaj papë Formozit, i cili kishte vdekur tetë muaj më parë.

Edhe pse papë Formozi kishte vdekur, prokurorët e tij nuk u tërhoqën. Trupi i tij u zhvarros, u vesh me veshjen papnore dhe u vendos në sallën e gjyqit. Gjatë gjyqit, i cili u zhvillua në janar të vitit 897, Formozi u shpall fajtor pas vdekjes për betim të rremë dhe krime të tjera.

Por si ndodhi që ky sinod mori formë? Dhe çfarë ndëshkimi mund të merrte një papë që kishte vdekur?

Kjo është historia e çuditshme dhe makabre e Sinodit të Kufomës, gjyqi ndaj një pape të vdekur që tronditi Romën.

Papë Formozi, papa në qendër të Sinodit të Kufomës

Papa që u gjykua në këtë ngjarje të tmerrshme ishte papë Formozi, që shërbeu si papë nga tetori i vitit 891 deri në vdekjen e tij në prill të vitit 896.

Formozi u ngjit në fronin papnor në një periudhë të trazuar për Kishën Katolike. Peizazhi politik i Europës po ndryshonte me shpejtësi dhe kleri po ndahej në fraksione rivale.

Në këtë atmosferë, Formozi, atëherë ende peshkop i Portos, u akuzua nga papa i atëhershëm Gjoni VIII për dy krime të rënda: që po mbante poste kishtare në më shumë se një vend dhe se po bënte fushatë hapur për t'u bërë papë. Si pasojë, ai u shkishërua. Por shkishërimi nuk zgjati shumë.

Papë Gjoni VIII u vra në vitin 882. Pasardhësi i tij, Marini I, e riktheu Formozin, por vdiq pas një viti. Edhe pasardhësi tjetër, Adriani III, vdiq pas një viti në detyrë. Më pas erdhi Stefani V, që shërbeu për gjashtë vjet. Dhe në fund, Formozi u bë papë në vitin 891.

Gjatë sundimit të tij, Formozi u përfshi në konfliktet politike të kohës. Fillimisht mbështeti Lambertin e Spoletos për perandor të shenjtë romak, por më vonë ndryshoi anë duke përkrahur Arnulfin e Karintisë, edhe pse Lamberti ishte ende gjallë.

Formozi vdiq nga shkaqe natyrore në prill të vitit 896, në moshën rreth 80-vjeçare. Pas tij, papati i kaloi Bonifacit VI, që mbajti postin vetëm dy javë përpara se të vdiste, dhe më pas papë Stefanit VI.

Ishte pikërisht papë Stefani VI që vendosi të zhvarrosë kufomën e Formozit dhe ta gjykojë në atë që do të njihej si Sinodi i Kufomës.

Në janar të vitit 897, papë Stefani VI mori një vendim të pazakontë: të nxirrte nga varri trupin e papë Formozit, ta vishte me rrobat papnore dhe ta nxirrte në gjyq. Historianët besonin fillimisht se ky akt ishte i motivuar politikisht dhe lidhej me ndërrimin e aleatëve nga ana e Formozit midis Lamberti dhe Arnulfit. Por motivet e vërteta të Stefanit mund të kenë qenë shumë më të thjeshta.

Stefani VI donte të legjitimonte pushtetin e vet.

Në mënyrë teknike, Stefani VI ishte bërë papë ndërkohë që ende mbante postin e peshkopit në një dioqezë tjetër, gjë që ishte ndaluar me ligj kishtar. Formozi ishte ai që e kishte emëruar fillimisht peshkop, ndaj duke e shpallur të pavlefshëm papatin e Formozit, Stefani mund të justifikonte vetveten.

Kështu filloi Sinodi i Kufomës.

Gjatë gjyqit, Formozi u vendos në një karrige dhe "u detyrua" të përgjigjej për "krimet" e tij, çka tronditi opinionin publik të Romës.

Teksa kufoma e Formozit kalbej para syve të të pranishmëve, Stefani VI paraqiti akuzat.

Ai deklaroi se ish-papa kishte shkelur të drejtën kanonike duke mbajtur më shumë se një post peshkopi njëkohësisht, gjë e ndaluar nga Kisha për të kufizuar pushtetin. Po ashtu, ai u akuzua për betim të rremë pasi thuhet se kishte premtuar se nuk do të kërkonte poste kishtare, por më pas u bë papë. Së fundmi, thuhet se kishte thyer një betim për të mbetur laik.

Gjatë zhvillimit të këtij gjyqi grotesk, një tërmet goditi Romën, të cilin shumë vetë e panë si shenjë të zemërimit hyjnor. Por gjyqi vazhdoi.

Dënimi i papë Formozit dhe i papë Stefanit VI

Në përfundim të Sinodit të Kufomës, Formozi u shpall fajtor. Ai u zhvesh nga rrobat papnore, dhe tre gishtat e dorës së djathtë, me të cilët jepte bekimet, iu prenë. Të gjitha veprimet dhe dekretet e tij si papë u shpallën të pavlefshme.

Pas gjyqit, trupi i tij u varros, pastaj u zhvarros përsëri dhe u hodh në lumin Tiber, një formë tradicionale dënimi për kriminelët e urryer në Romën e lashtë.

Por trupi i papë Formozit nuk mbeti aty. Ai u nxor fshehurazi nga lumi, ndoshta nga një murg apo peshkatar. Dhe shumë shpejt, vetë papë Stefani VI mori ndëshkimin e tij.

Sinodi i Kufomës ishte jashtëzakonisht jopopullor. Shumë prej mbështetësve të mëparshëm të Stefanit e braktisën, dhe qytetarët e Romës u ngritën kundër tij, e burgosën dhe më pas e mbytën në gusht të vitit 897.

Megjithatë, edhe vdekja e tij nuk solli stabilitet në Kishë. Pasardhësi i tij, papë Romanusi, qëndroi vetëm disa muaj, dhe papë Teodori II, që erdhi më pas, sundoi vetëm për 20 ditë. Gjatë kësaj kohe të shkurtër, Teodori II arriti të rikuperojë trupin e Formozit, dhe pas tij, papë Gjoni IX siguroi që ai të varrosej me nderime në Bazilikën e Shën Pjetrit, pranë paraardhësve të tij papnorë.

Kështu përfundoi kjo histori e çuditshme dhe makabre e Sinodit të Kufomës. Sot ajo mbetet një kapitull i veçantë dhe i errët në historinë e Kishës Katolike, një dëshmi e kohës kaotike me shumë papë jetëshkurtër (17 papë vetëm gjatë shekullit të nëntë) dhe e vendimeve të çuditshme të një njeriu.

Vendimi i papës Stefanit VI për të gjykuar një papë të vdekur ishte aq shokues dhe grotesk, saqë edhe sot vazhdon të na tronditë. Nuk është çudi që në latinisht kjo ngjarje njihet si Synodus Horrenda, Sinodi i tmerrshëm.