Cilat janë simptomat e sëmundjes celiake?
Nëse ndonjëherë jeni ndier të fryrë apo të lodhur pas ngrënies së një fete pice apo një gjevreku të thekur, mund të mos jetë thjesht një tretje e keqe. Sëmundja celiake është një gjendje kronike serioze dhe shpesh e nëndiagnostikuar, që prek rreth 2 milionë njerëz çdo vit në SHBA dhe miliona të tjerë në mbarë botën. Për ata që vuajnë prej saj, shmangia e glutenit nuk është aspak një "dietë në modë", por një domosdoshmëri mjekësore. "Sëmundja celiake është një çrregullim autoimun, në të cilin konsumimi i glutenit, që gjendet në grurë, elb dhe thekër, bën që qelizat imunitare të trupit të sulmojnë shtresën mbrojtëse të zorrës së hollë," shpjegon dr. Marie Robert, patologe kirurgjikale në Spitalin e Mjekësisë së Yale-it në New Haven.
Kjo mund të shkaktojë një gamë të gjerë simptomash të padëshiruara, si tek të rriturit, ashtu edhe tek fëmijët. "Ndërsa në të kaluarën besohej se sëmundja celiake prekte kryesisht fëmijët, tashmë është e qartë se ajo mund të shfaqet në çdo moshë," thotë dr. Alessio Fasano, profesor i ushqyerjes në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit dhe drejtor i pediatrisë në Qendrën për Kërkime dhe Trajtim të Sëmundjes Celiake në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts-it.
Ja cilat janë simptomat më të zakonshme të sëmundjes celiake, çfarë e shkakton atë dhe si trajtohet zakonisht.
Cilat janë simptomat e sëmundjes celiake?
Sëmundja celiake është famëkeqe për natyrën e saj të fshehtë, pasi simptomat ndryshojnë në ashpërsi dhe mund të duken ndryshe nga një person te tjetri. Problemet me tretjen janë simptomat më të zakonshme, dhe përfshijnë "fryrje, dhimbje barku dhe diarre," thotë dr. Runa Watkins, shefe e ndarjes së gastroenterologjisë dhe ushqyerjes pediatrike në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Maryland-it.
Por, "meqë nuk ka asnjë ind apo organ që shpëton nga procesi inflamator i shkaktuar nga sëmundja celiake," shpjegon Fasano, shumë njerëz me këtë sëmundje kanë edhe simptoma jashtë sistemit tretës. Këto mund të përfshijnë lodhje, anemi, dhimbje kyçesh, skuqje të lëkurës dhe simptoma neurologjike si depresion, mjegull mendore, luhatje humori apo dhimbje koke. "Problemet riprodhuese si infertiliteti nuk janë të rralla," shton dr. Roberti.
Fëmijët me sëmundje celiake mund të përjetojnë gjithashtu vonesa në rritje dhe shtat të shkurtër. "Mosrritja te fëmijët është një tjetër shenjë e zakonshme e kësaj sëmundjeje," thotë dr. Peter Green, mjek dhe profesor në Qendrën për Sëmundjen Celiake në Universitetin Columbia.
Dhe kur sëmundja celiake nuk trajtohet ose nuk diagnostikohet, gjë që ndodh shpesh, ajo mund të çojë në ndërlikime më serioze si sëmundje të tjera autoimune dhe osteoporozë. Ka gjithashtu një rrezik të shtuar për zhvillimin e tumoreve malinje dhe frakturave për shkak të mungesave të zgjatura ushqyese.
Për shkak të të gjitha këtyre faktorëve, "personat me sëmundje celiake përballen me një shkallë vdekshmërie më të lartë sesa popullata e përgjithshme," thotë Green.
Çfarë e shkakton sëmundjen celiake?
Edhe pse shkaku i saktë i sëmundjes celiake nuk është gjithmonë i njohur, Watkins thotë se zakonisht shkaktohet nga një kombinim faktorësh gjenetikë dhe mjedisorë. Sa i përket lidhjeve gjenetike, kërkimet tregojnë se lidhja më e fortë është prania e varianteve të gjeneve HLA-DQ2 ose HLA-DQ8. "Për shkak të këtyre gjeneve, deri në 10–15% e të afërmve të shkallës së parë të pacientëve me sëmundje celiake preken gjithashtu," thotë Fasano.
Sa për faktorët mjedisorë, konsumimi i glutenit është shkaktari më i zakonshëm i simptomave te njerëzit me sëmundje celiake, por "ndryshimet në ekosistemin e zorrëve, shpesh të shkaktuara nga një infeksion (sidomos gjatë fëmijërisë), ndërhyrje kirurgjikale ose stres, mund të nxisin kalimin nga një predispozitë gjenetike te shfaqja klinike e sëmundjes," shpjegon Fasano.
Si trajtohet sëmundja celiake?
Deri tani, trajtimi i vetëm për sëmundjen celiake është një dietë rreptësisht pa gluten. "Edhe sasi të vogla gluteni, si grimcat e mbetura në një thekëse buke, mund të shkaktojnë dëme dhe simptoma," thotë Watkins. Por sapo gluteni eliminohet plotësisht, shumë pacientë ndihen më mirë brenda pak javësh, edhe pse për disa, rimëkëmbja mund të zgjasë më shumë.
Shumica e këtyre pacientëve punojnë me një mjek ose dietolog për të identifikuar dhe eliminuar burimet ushqimore që përmbajnë gluten dhe për të marrë këshilla mbi mënyrën e kompensimit të mungesave ushqyese. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, pasi përveç se është një proteinë që gjendet natyrshëm në shumë drithëra, gluteni "shtohet shpesh në ushqimet e përpunuara si mbushës," thotë Fasano. "Salcat, ëmbëlsirat dhe madje edhe disa lloje mishrash mund ta përmbajnë atë."
Dhe për një numër të vogël pacientësh, edhe respektimi i plotë i një diete pa gluten nuk mjafton për të larguar simptomat. Kjo ndodh për shkak të një gjendjeje të rrallë të quajtur sëmundja celiake refraktare, e cila kërkon trajtim të specializuar.
Për këta dhe të gjithë pacientët me sëmundje celiake, "po zhvillohen shumë prova klinike për të gjetur ilaçe që do të parandalojnë reagimin inflamator të lidhur me këtë sëmundje," thotë Robert. "Shpresojmë se është vetëm çështje kohe para se të kemi ilaçe që do ta bëjnë më të lehtë jetesën me sëmundjen celiake." / USA Today