Vodhën 409 mijë euro nga kompania ku punonin, arrestohet korrieri, shpallet në kërkim financierja
Pas 6 muajsh hetime të thelluara me metoda proaktive, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Doublefront”, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Si rezultat i këtij operacioni, është arrestuar shtetasi E. Sh., 37 vjeç, me detyrë shpërndarës porosish në një subjekt privat që tregtonte tekstile me metrazhe. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasja A. S., 30 vjeçe, e cila kishte funksionin e financieres në të njëjtën kompani.
Sipas hetimeve të Policisë, dyshohet se gjatë periudhës 2023-2024, të dy kanë bashkëpunuar për të vjedhur rreth 409 mijë euro, duke falsifikuar dhe manipuluar faturat e shpërndarjes së mallrave. Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj E. Sh. masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e bashkëpunëtores së tij.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet pas 6 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Doublefront”.
Vodhën 409 000 euro nga subjekti ku ishin të punësuar, duke shpërdoruar detyrat, arrestohet 37 –vjeçari (shpërndarës i porosive), shpallet në kërkim financierja.
Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për 6 muaj, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin policor të koduar “Doublefront”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasin E. Sh., 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasja A. S., 30 vjeçe.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Sh. dhe shtetasja A. S. (me detyra respektive shpërndarës i porosive dhe financiere në një subjekt që shiste tekstile me metrazhe), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës 2023-2024, kanë vjedhur nga ky subjekt, nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve, rreth 409 000 euro.
Punohet për kapjen e shtetases A. S.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.