‘Saranda në duart e trafikantëve’/ Gazetari zbulon skemën mafioze në Qafë-Botë për të kontrolluar trafikun e drogës drejt Greqisë

Gazetari Sokol Bregu ka zbuluar detaje tronditëse në ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, nga komunikimet e SKY dhe ENCHRO-CHAT, që sipas tij ekspozojnë një skemë të sofistikuar trafiku droge në pikën kufitare të Qafë-Botës, në jug të vendit.

Në qendër të kësaj skeme del një rast i pazakontë, ku një trafikant lokal përpiqet të korruptojë një zyrtar policie për të paraqitur një trafikant turk të arrestuar si anëtar i Partisë së Kurdistanit, me qëllim që ai të ekstradohet menjëherë dhe rrjeti turk i trafikut të frikësohet e të largohet nga Saranda.

SOKOL BREGU: Ajo që kam lexuar në SKY dhe ENCHRO-CHAT, që i përkiste pikërisht pikës Kufitare të Qafë Botës, ishte një superskemë në mënyrën e vetë si kalonte droga drejt Greqisë. Nuk e kam parë kurrë në asnjë moment... Arrestohet një turk duke kaluar në Qafë-Botë me drogë dhe një trafikant zone aty, do të korruptojë shefin e policisë dhe do t’i thotë që: ‘A mund ta bësh këtë sikur është një person i partisë së Kurdistanit, që turqit herën tjetër të tremben dhe të mos vijnë më dhe të mos kalojnë drogë nga Saranda’.

Një trafikant me njohuri gjeopolitike... nuk do ti shkonte kurrë në mendje... Në dosje thotë që ‘a e bën dot sikur është anëtar i partisë së Kurdistanit që ta ekstradojnë menjëherë dhe të tremben të gjithë turqit e mos të vijnë të shesin drogë në Sarandë’.

Unë po them që, edhe pikën e Qafë-Botës edhe pse e kanë kapur dhe arrestuar këtë turkun, ai e do ta ketë ekskluzivitet të vetin që askush të mos kalojë. Se ku i ka shkuar në mendje që të korruptojë edhe atë që po e merr në pyetje që të shtojë atje sikur ai është anëtar i partisë së kurdistanit dhe drogën e do për këtë dhe ideja ishte që kjo do ta burgoste gjatë dhe turqit nuk do të vinin më në Sarandë.