Shkëlqejnë Tolaj dhe Adetunji, Ballkani me një fitore të çmuar ndaj Floriana-s

Ballkani ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, duke triumfuar me rezultat 4-2 ndaj ekipit maltez, Floriana, në kuadër të turit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Sfida nisi me tronditje për vendasit. Vetëm pas tetë minutash lojë, mysafirët fituan një penallti, të cilën e realizoi Jake Grech për 0-1. Megjithatë, reagimi i Ballkanit erdhi shpejt: në minutën e 13-të, Almir Kryeziu asistoi për Bleart Tolajn, i cili barazoi shifrat në 1-1.

Ekipi maltez riktheu avantazhin në minutën e 25-të me golin e Mustapha Jah, por Ballkani sërish nuk u dorëzua. Vetëm dy minuta më vonë, Giovanni pasoi për Sunday Adetunjin, që barazoi për 2-2. Më pas, në minutën e 32-të, protagonistët ndërruan rolet, Adetunji asistoi dhe Tolaj realizoi golin e tij të dytë personal, duke përmbysur gjithçka në 3-2.

Pjesa e parë u mbyll në mënyrë të pazakontë, pasi një ndërprerje e energjisë elektrike në stadiumin “Fadil Vokrri” solli përfundimin e parakohshëm të 45 minutave të para.

Në pjesën e dytë, Ballkani dominoi sërish dhe gjeti golin e katërt në minutën e 74-t. Smjali krosoi saktë për Adetunjin, i cili vulosi rezultatin me golin e dytë personal për 4-2.

Ballkani raste edhe për një gol të pestë, por nuk arriti të konkretizonte. Megjithatë, fitorja me dy gola diferencë i jep Ballkanit një avantazh të rëndësishëm për takimin e kthimit në Maltë.