Si mund të kontribuojnë të rinjtë rumunë në përpjekjet e riarmatimit të BE-së dhe të fitojnë para
Rumania po planifikon të krijojë një shërbim ushtarak vullnetar për të rritur rezervën e saj ushtarake me një propozim, i cili aktualisht po debatohet në Parlament, i cili do t'u mundësonte personave nga 18 deri në 35 vjeç të ndjekin një program trajnimi katërmujor me pagesë.
Me përfundimin e stërvitjes, vullnetarët do të kishin statusin e rezervistëve dhe ata që dëshironin ta bënin këtë mund të bëheshin ushtarë aktivë.
Masa u njoftua nga Ministri i Mbrojtjes Ionuț Moșteanu dhe iniciativa është hartuar për të përmbushur shqetësimet e qeverisë në lidhje me profilin e plakjes së grupit aktual të rezervistëve.
Mosha mesatare e rezervistëve "është diku rreth 48-50 vjeç", tha për Euronews Romania zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes rumune, kolonel Corneliu Pavel.
"Ky projektligj që është në fazën e miratimit synon të rrisë ndjeshëm numrin e rezervistëve."
Angazhime të reja ushtarake në Evropë
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili garantonte fluks të qëndrueshëm të rezervistëve në plakje, u pezullua në Rumani në vitin 2007, pasi vendi u bashkua me Bashkimin Evropian.
Sipas burimeve të shtypit rumun, ministria e mbrojtjes përjashtoi çdo formë të rikthimit të një rekrutimi të detyrueshëm.
Megjithatë, ideja vullnetare e Rumanisë përputhet me projektin e një riarmatimi të plotë evropian dhe me përpjekjet e disa vendeve të tjera evropiane që po ripërcaktojnë metodat e tyre të rekrutimit.
Riorganizimi i strukturës ushtarake dhe rritja e numrit të personelit të armatosur është një nga çelësat e planifikimit aktual ushtarak të vendeve të NATO-s dhe BE-së.
Projektligji rumun parashikon një trajnim ushtarak katërmujor, gjatë të cilit vullnetarët e rinj paguhen si personel ushtarak aktiv dhe në fund ata marrin edhe një pagesë prej gati 2,500 eurosh.
Disa të rinj thonë se do ta pranonin skemën, ndërsa të tjerë ngurrojnë, por shumica besojnë se duhet të ekzistojë një formë e trajnimit ushtarak të civilëve.
Një grua e re në Bukuresht i tha Euronews Romania, se shërbimi ushtarak mund të jetë i dobishëm.
"Në rast lufte, apo diçkaje tjetër, duhet të dimë çfarë të bëjmë", tha ajo.
Ndërsa një i ri komentoi: "Do të doja shumë pak ushtrime shtesë, pak aktivitet, por edhe më seriozisht, dua të them se nuk është sikur të shkosh të luash me miqtë e t’u."
Shpenzimet rumune të mbrojtjes në vitin 2025 janë deri në 2.2% të PBB-së së saj, megjithatë, deri në vitin 2032, vendi i Detit të Zi është i angazhuar të arrijë 3.5% të shpenzimeve të mbrojtjes dhe 1.5% në investime indirekte të lidhura me sigurinë./ Euronews.