Zjarret në Dibër jashtë kontrollit, 300 ha pyje të djegura, ndërhyrje nga ajri për frenimin e flakëve

Për shkak të përhapjes së zjarreve në disa zona të qarkut Dibër, sot në ambientet e Prefekturës u zhvillua një takim urgjent i strukturave të emergjencës civile me përfaqësues nga institucionet vendore dhe qendrore, për të vlerësuar situatën dhe për të përmirësuar koordinimin ndërinstitucional.

Sipas raportimeve zyrtare, deri më tani janë djegur rreth 300 hektarë pyje, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme mjedisore dhe ekonomike, kryesisht në zonat e Parkut Kombëtar të Lurës dhe Zall Gjoçajt.

Ndërhyrja nga ajri, përmes helikopterëve vendas dhe me mbështetje ndërkombëtare, ka ndihmuar në uljen e intensitetit të vatrave aktive. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara, por strukturat operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren për kontrollin dhe menaxhimin e situatës.

Në zonën e Gurë-Lurës, ndërhyrja e shpejtë e forcave në terren bëri të mundur shpëtimin e një bariu dhe bagëtive të tij, të rrezikuar nga përhapja e flakëve.

Takimi u mbyll me hartimin e një plani të përbashkët veprimi për ditët në vijim, me fokus në lokalizimin dhe shuarjen e vatrave ekzistuese, si dhe në parandalimin e përhapjes në zona të tjera. U theksua nevoja për monitorim të shtuar dhe reagim të menjëhershëm, veçanërisht në zonat malore dhe pyjore të ekspozuara ndaj rrezikut nga temperaturat e larta dhe terreni i vështirë.