Përkthehet miti i lashtë sumerian rreth 4400 vjeçar
Një studim i fundit nga dr. Jana Matuszak, botuar në revistën shkencore Iraq, analizon një mit të lashtë sumerian të regjistruar në një tabelë të fragmentuar (Ni 12501), që daton rreth vitit 2400 p.e.s., në qytetin e Nipurit. Tabela është zbuluar që në shekullin XIX, por nuk është botuar ndonjë analizë e plotë e saj për shkak të gjendjes së dëmtuar dhe mungesës së dokumentimit të duhur.
Tabela i përket një periudhe kur Sumeri përbëhej nga qytet-shtete të pavarura, secili me perëndinë e vet mbrojtëse, ndonëse ndanin një gjuhë, sistem shkrimi dhe struktura politike të ngjashme. Në rastin e Nipurit, perëndia kryesore ishte Enlili, udhëheqësi i panteonit sumerian.
Përmbajtja e mitit përqendrohet te perëndia e stuhive Ishkur, i cili është zënë rob në nëntokë. Babai i tij, Enlili, mbledh një asamble hyjnore për të shpëtuar të birin, por vetëm një dhelpër pranon të ndërmarrë misionin. Ajo arrin të hyjë në botën e nëndheshme duke mashtruar rojet: pranon ushqimin që i ofrohet, por nuk e ha. Në këtë pikë rrëfimi ndërpritet dhe nuk dihet nëse misioni përfundon me sukses.
Mitologjia është e pasur me simbole si bollëku bujqësor dhe cikli i stinëve. Rrëfimi nis me përshkrimin e ujërave të mbushura me peshq dhe lopë shumëngjyrëshe, që i përkasin Ishkurit. Pas zhdukjes së tij, ka shenja urie dhe mungesë pjellorie, çka nënkupton rëndësinë e shiut për bujqësinë e rajonit, ku reshjet janë të pakta dhe mbështetja kryesore është vaditja nga lumenjtë Eufrat dhe Tigër.
Motivi i dhelprës së mençur është një nga aspektet më të hershme të këtij simbolizmi në mitologji. Figura e saj, e cila arrin atë që hyjnitë nuk munden, paraqet modelin e heroit të papritur që shpëton situatën.
Edhe pse rrëfimi ruhet vetëm në këtë tabelë, elementet dhe motivet e tij shfaqen në mite të tjera të Mesopotamisë për shekuj me radhë. Studimi i Ni 12501 ndihmon në kuptimin më të thellë të mitologjisë sumeriane dhe thekson nevojën për kërkime të mëtejshme arkeologjike për të plotësuar boshllëqet në njohuritë tona për botëkuptimin dhe letërsinë e lashtë mesopotamase. / Phys