Ish-mbrojtësi i Fiorentinës gjendet pa jetë në banesën e tij
Një lajm i trishtë ka tronditur botën e futbollit italian. Ish-mbrojtësi i njohur Celeste Pin ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare. Trupi i tij u gjet pa jetë në banesën e tij, në kodrat mbi Careggi, në Firenze. Lajmi u konfirmua pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimit të urgjencës dhe policisë, të njoftuar nga një i afërm pas mesditës.
Pin ka qenë një figurë e rëndësishme e mbrojtjes së Fiorentinës, ku luajti për tetë sezone, duke grumbulluar 200 ndeshje në Serinë A me fanellën vjollcë, nga gjithsej 263 paraqitje në elitën e futbollit italian.
Gjatë karrierës së tij, ai ka veshur edhe fanellat e Perugias, Veronës dhe Sienës. Pas tërheqjes nga futbolli aktiv në mesin e viteve ’90, Pin vijoi kontributin e tij si drejtues sportiv në sektorin e të rinjve në disa klube.
I lidhur fort me qytetin e Firenze-s, Celeste Pin ruajti gjithmonë afërsinë dhe dashurinë për Fiorentinën. Ai ishte shok skuadre me Stefano Pioli, trajnerin aktual të klubit.
Fiorentina, përmes një mesazhi zyrtar, ka shprehur dhimbjen për humbjen e një figure të dashur:
"Presidenti Commisso, bashkëshortja e tij Catherine, Drejtori i Përgjithshëm Alessandro Ferrari, Drejtori Sportiv Daniele Pradè, trajneri Stefano Pioli dhe e gjithë familja vjollcë bashkohen në dhimbjen e familjes Pin dhe shprehin ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Celestes. Përveç viteve të shumta si lojtar i Fiorentinës, Celeste ka mbetur gjithmonë një tifoz besnik dhe i afërt me klubin në çdo rast publik apo privat. Për këtë arsye, ai do të mbetet përjetë pjesë e historisë së Fiorentinës."
Një njeri i thjeshtë, një profesionist i vërtetë, një zemër vjollcë që nuk do të harrohet kurrë. Pusho në paqe, Celeste.