SYRI TV/ Saranda ‘qyteti i krimeve’ në këtë sezon veror, në dy javë kërcet arma dhe shpërthen tritoli

Qyteti i Sarandës është kthyer në kryeqendrën e lajmeve nga kronika e zezë, pasi ngjarjet kriminale janë të përditshme në qytetin bregdetar. Vetëm në 6 ditë në Sarandë janë raportuar 4 ngjarje kriminale, të cilat kanë terrorizuar qytetarët dhe turistët, të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në bregdetin jugor. Gjatë mbrëmjes së kaluar një makinë u hodh në erë, por nga shpërthimi u dëmtuan edhe biznese e banesa. Kjo ngjarje është saga e një krimi të regjistruar vetëm pak ditë më parë.

Saranda u trondit sërish mesnatën e kaluar, ku një shpërthim me tritol zgjoi të alarmuar banorët dhe turistët. Nuk bëhej fjalë për një ngjarje kriminale të veçuar, por për krime që pasojnë njëra-tjetrën gjatë këtij muaji korrik, në mes të sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Shënjestër e sulmit ishte automjeti në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj, 31 vjeç, të cilin e “hodhën në erë” me eksploziv. Jaçaj ishte shpallur në kërkim nga Policia vetëm 4 ditë më parë, pasi dyshohet si i përfshirë në përplasjen mes dy grupeve më 17 korrik në lagjen numër 4 të Sarandës, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy të rinjtë nga Kamza, Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç dhe Ernest Lama, 24 vjeç.

Klaus Jaçaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar dy vëllezërit Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, si edhe Erjon Canaj, 36 vjeç, të cilët qëlluan 2 të rinjtë pas sherrit për pronën në bregdet.

Por, këto nuk janë ngjarjet e vetme kriminale që po tronditin Sarandën në një hark kohor të dy javëve, pasi në mes të sezonit turistik, persona të armatosur dhe në kërkim duket se po lëvizin lirshëm, teksa nuk kanë munguar as plagosjet e tjera apo sherret e përgjakshme.

Më konkretisht, më 8 korrik, në kuadër të operacionit “Impact” u arrestua në Ksamil shtetasi kosovar Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, uniformat blu gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë.

Më 11 korrik, policia ndaloi rastësisht në rrugën “Butrinti” një automjet luksoz, brenda të cilit ndodheshin tre të rinj nga Kamza, një prej tyre i shpallur në kërkim. Më konkretisht, shtetasit Ervis Cukali (27 vjeç), Endrit Doku (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç). Endrit Doku ishte i armatosur me pistoletë, ku u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit bashkë me çantën ku kishte armën. Ndërkohë, Ervis Cukali, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, rezultonte në kërkim për disa vepra penale.

Më 19 korrik, po në Ksamil, Albert Pashaj, pronari i “Euro Hotel” në Ksamil, u dhunua me sende të forta (hunj) nga Agim Taraj (pronar i “Sunset Beach Bar”), Silvjan Sulku dhe Aldo Zeqiraj. Ngjarja ndodhi sërish në sy të qindra pushuesve, teksa pamjet me rrjedhjen e gjakut në fytyrë bënë xhiron e mediave.

Më 20 korrik, në Sarandë u regjistruan të shtëna me armë zjarri në lagjen numër 4, në rrugën “Mitat Hoxha”. Ngjarja ndodhi sërish në sytë e qindra pushuesve, duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre. Gjatë konfliktit, i plagosur mbeti ish-efektivi i Policisë, Adil Veli, 56 vjeç, i cili sipas autoriteteve është goditur me qytën e armës së zjarrit.
Pasi Saranda po tronditet nga armët dhe shpërthimet me tritol, Ilir Proda urdhëroi dërgimin e forcave speciale RENEA në qytetin bregdetar, duke tentuar të japë përshtypjen se po vepron pas krimeve.

Saranda tashmë ka zënë vendin e qyteteve të tjera me kriminalitet të lartë si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani apo edhe Fieri, ku lajmet e para në media në dy javët e fundit nisin pikërisht me kronikë të zezë dhe si raportim është qyteti bregdetar i Sarandës.