'Situatë dramatike'/ Zhulali: Rama kap Bashkinë e Tiranës, shkel Kushtetutën dhe rrezikon autonominë vendore
Ilda Zhulali, eksperte e integrimit dhe drejtuese e Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike, në një intervistë për edicionin e pasdites në SYRI TV, ka ngritur alarmin për situatën e rëndë që po përjeton Bashkia e Tiranës dhe ka denoncuar shkeljet e rënda ligjore dhe institucionale të kryeministrit Edi Rama.
Zhulali theksoi se qytetarët e Tiranës po përballen me një klimë frike dhe pasigurie, ndërsa buxheti prej 500 milionë eurosh i Bashkisë administrohet në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare. Ajo akuzoi kryeministrin për kapjen e shtetit dhe për vendosjen e një kontrolli të drejtpërdrejtë mbi pushtetin vendor, duke shkelur Kushtetutën, ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe Kartën Evropiane për Autonominë Vendore.
Në qendër të kritikës së saj ishte emërimi i diskutueshëm i Anuela Ristanit si kryetare e komanduar e Bashkisë, një proces i mbushur me dokumente kontradiktore dhe mungesë transparence. Sipas Zhulalit, kemi të bëjmë me një manipulim të qëllimshëm për të fshehur se kush po e drejton realisht Bashkinë dhe për të lejuar Ramën të ushtrojë pushtet absolut në Tiranë, ndërkohë që qytetarët mbeten të pambrojtur dhe pa përfaqësim real.
Pjesë nga deklarata:
Situata është dramatike. Të mendosh që kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një bashki që administron 500 milionë euro. Ky është një buxhet i madh që duhet të shkojë për të përmbushur nevojat dhe shërbimet e qytetit. Ne jemi në një situatë kaotike në këtë bashki, ku mbretëron paligjshmëria. Me këto lëvizje që ka bërë prej disa muajsh Rama, kemi një shkelje të hapur të Kushtetutës, të ligjit për pushtetin vendor dhe të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
Qeveria tashmë, çdo ditë e më shumë, po shfaqet si një shtet i kapur, ku ajo jo vetëm që është mbi çdo institucion, por edhe lehtë i zëvendëson ato. Kjo është një situatë e papranueshme dhe në të njëjtën kohë krijon pasiguri për çdo qytetar dhe biznes në Tiranë. Është fatkeqësi, dhe do të doja të shihja më shumë reagim nga njerëzit, por duket se kjo pasiguri i ka bërë ata më të frikësuar dhe ndjejnë se mund të jenë shënjestër dhe viktima e radhës e çmendurisë së ditës.
Në Këshillin Bashkiak të Tiranës kemi ngritur disa çështje, dhe një prej tyre është njohja me shkresën ku emërohet Anuela Ristani si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës. Kemi dy shkresa që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën. Së pari, Veliaj nënshkroi një shkresë ku i delegonte kompetencat zonjës Ristani, e më pas, përmes mediave, u njohëm me një tjetër shkresë ku kjo kompetencë i kalonte Sarës Goxhaj. Mirëpo, nuk kemi parë asnjë shkresë ku këto kompetenca i kalojnë zonjës Ristani. Kur kemi kërkuar këto shkresa, na është dhënë vetëm shkresa e parë, që do të thotë se shkresa që emëronte Sarën Goxhaj thjesht është grisur. Ky është niveli i paligjshmërisë në Bashkinë e Tiranës, dhe nëse do të kishte organe të drejtësisë serioze, prej muajsh do të kishin shkuar në Bashkinë e Tiranës për të marrë këto shkresa dhe për të kuptuar se kush po drejton bashkinë dhe kush administron 500 milionë euro buxhet.
Tani kemi arritur në “shown” e radhës të Ramës, ku ai ka lejuar Ristanin të qëndrojë në detyrë, sepse Veliaj refuzon ta mbajë atë në detyrë, dhe ajo është e vetmja që ka një shkresë të firmosur nga Veliaj si kryetare e komanduar, edhe pse kjo shkresë është e paligjshme, sepse ekziston një shkresë tjetër që e hedh poshtë atë. Me sa duket, Veliaj refuzon të komandojë dikë tjetër përveç zonjës Goxhaj, dhe kështu Ristani do të mbetet si një fasadë, ndërkohë që Rama do të marrë vendime për të vendosur nënkryetarët, drejtorët e bashkisë dhe të gjithë administratën.