Trofeu Gamper/ Për herë të parë në histori, Como sfidon Barcelonën
Një ndeshje historike pritet të zhvillohet më 10 gusht në stadiumin “Johann Cruyff”, ku Como do të përballet me Barcelonën në edicionin e 60-të të Trofeut Joan Gamper, ngjarje tradicionale verore që shërben si prezantimi zyrtar i ekipit katalanas për sezonin e ri.
Kjo do të jetë hera e parë që Como dhe Barça ndeshen në historinë e tyre, një duel i paprecedentë mes dy klubeve që festojnë përkatësisht 118 dhe 125 vite ekzistence. Sipas një njoftimi të klubit italian, përballja përfaqëson një rast prestigjioz për Como-n, i cili do të bëhet klubi i nëntë italian që merr pjesë në këtë trofe, pas ekipeve si Sampdoria, Milan, Inter, Juventus, Napoli, Parma, Roma dhe Brescia.
“Për ne është një nder dhe një mundësi unike që të prezantohemi në një skenë kaq të madhe dhe historike,” thuhet në deklaratën e klubit nga Lombardia.
Ndeshja do të luhet në orën 21:00 dhe pritet të jetë një festë futbolli, por edhe një provë e vërtetë për Como-n përballë një prej klubeve më të mëdha në botë.