SYRI TV/ Hetimet e prokurorisë, Bankers Petroleum: Çështja do të shkojë në arbitrazh

Pas hetimeve nga Prokuroria Fier dhe masave ‘arrest me burg’ të marra nga Gjykata për drejtuesit e kompanisë “Bankers Petroleum”, ka ardhur edhe reagimi i kësaj të fundit. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kompania thekson se po shqyrton të gjitha rrugët ligjore, duke kërcënuar me dërgim të çështjes edhe në arbitrazhin ndërkombëtar. Bankers gjithashtu thekson faktin se do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale dhe t’u përmbahet ligjeve shqiptare.

Kompania “Bankers Petroleum” ka reaguar zyrtarisht për hetimet e prokurorisë ndaj drejtuesve të kësaj kompanie, të cilët janë me masë arresti me burg. Në një deklaratë për mediat, kompania ka bërë të ditur se po shqyrton të gjitha rrugët ligjore, duke kërcënuar me dërgimin e çështjes edhe në arbitrazhin ndërkombëtar.

Kompania aktualisht po vlerëson të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare të disponueshme, duke përfshirë procedimet tek institucionet ndërkombëtare të investimeve dhe arbitrazhit sipas rregullave të ICC-së, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të saj si investitor i huaj dhe ruajtjen e sigurisë ligjore të operacioneve të saj.
Duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm që këto zhvillime mund të kenë në integritetin e operacioneve të saj në Shqipëri, kompania ka angazhuar ekipe ligjore si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit për të bashkëudhëhequr mbrojtjen ligjore, si brenda vendit ashtu edhe para organeve ndërkombëtare të arbitrazhit.

Lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Fierit, kompania thotë se po bashkëpunon me autoritetet shqiptare dhe thekson se të gjithë punonjësit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe kanë të drejtën për mbrojtje ligjore të pavarur dhe të drejtë. Bankers thotë se do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale dhe t’u përmbahet ligjeve shqiptare.

Tre javë më parë Prokuroria e Fierit njoftoi se janë dhënë 14 urdhër-arreste, me 9 të arrestuar e 5 në kërkim, mes të cilëve administratori aktual i Bankers Petroleum, shtetasi kinez Hongping Xiao dhe ish-administratori Leonidha Çobo. Sipas Prokurorisë së Fierit, ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ akuzohet për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, hetim i nisur 6 muaj më parë, me iniciativë të Drejtorisë së Hetimit Tatimor. Bashkë me administratorët e kompanisë janë vënë në pranga dhe 7 persona të tjerë me pozicione drejtuese në kompani.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të TVSH-së, është në miliona euro. Hetimi ngre pikëpyetje të mëdha, pasi Bankers u lejua që të abuzojë me afro 5.3 miliardë naftë të nxjerrë nga nëntoka për dhjetëra vite e sot me këtë hetim, ngrihen dyshime për mekanizëm për amnistim të tatim-fitimit që duhet të ishte vjelë. Akuza për evazion është e vetmja mundësi që i hap rrugë zgjidhjes së kontratës, çka ngre edhe më shumë pikëpyetjet për një lëvizje për të groposur detyrimet e pashlyera dhe hapjes rrugë të një kontrate të re.