Gjokutaj: Marrja si i pandehur e Veliajt, shpejtësi e pazakontë e hetimeve dhe heshtje e papritur në konfliktin me prokurorin
Avokati Genci Gjokutaj ka komentuar zhvillimet më të fundit në dosjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke vënë theksin te procedura ligjore e marrjes si i pandehur, të cilën ai e cilëson si aktin formal të komunikimit të akuzës.
Nw edicionin e lajmeve në Syri TV, Gjokutaj tha se kjo fazë e procedurës nuk mund të jetë përfunduar pa prezencën fizike në ambientet e SPAK, ndërsa ngre dyshime mbi shpejtësinë e pazakontë të mbylljes së hetimeve.
Genci Gjokutaj: Ka një gabim këtu, një mbivendosje sepse marrja si i pandehur është pikërisht akti i komunikimit të akuzës. Aty i thuhet: Zoti Veliaj, i pandehuri akuzoheni për veprën penale filan...çfarë keni për të thënë?
Pra, marrja si i pandehur është pikërisht marrja në cilësinë nga person nën hetim në person i pandehur. Dhe është akuza e drejtpërdrejtë e personi, për të cilin prokurori mendon se ai është fajtor dhe do të vendosë dërgimin për gjykim. Unë e mora vesh këtë, nuk ka rëndësi... mund të jetë shfrytëzuar fletë-thirrja që është bërë avokatëve për nesër ose fletë-thirrja e burgut për ta shoqëruar nesër, sepse marrja si i pandehur sot nuk mund të ketë ndodhur pasi nuk është shoqëruar në ambientet e SPAK, ku bëhet komunikimi ose mund të ketë shkuar prokurori për ti komunikuar akuzën në burg.
Në fakt, komunikimi në burg nuk është bërë ndonjëherë por ai thirret ose shoqërohet në ambientet e SPAK ku i komunikohet akuza. Pak rëndësi ka kjo. Unë e dëgjova edhe prononcimin e avokatëve. Në fakt, ata kanë problem me rrjedhjen e informacionit. Ky nuk është një informacion që i referohet provave, gjendjes së procedimit, cilësisë së personit, pra kjo nuk zhbën provat.
Ajo që unë konstatoj, dy janë momentet. Është një shpejtësi marramendëse e përfundimit të hetimeve. Me marrjen si i pandehur nuk besoj të kenë më veprime të tjera hetimore, do të vijojnë me materialet e çështjes, me vendimin e dërgimit të çështjes për gjykim dhe dërgimi i çështjes tek gjyqtari paraprak. Mos harroni janë 165 ditë, fiks 5 muaj e gjysmë që për një çështje kaq voluminoze që u interpretua në fillim, është një afat vërtetë shumë i shpejtë.
Unë mendoj që kësaj i shoqërohet edhe heshtja në mënyrë të çuditshme, ose më saktë pushimi i dyluftimit të Veliaj me prokurorin Ols Dado. Mbani mend që ka qenë një betejë në sallë të gjyqit dhe në media, dhe papritur shikojmë një Erion Veliaj të zbutur.