Tyson Fury: Jam i vetmi që e kam mundur dhe di si ta mund Usyk, do t’i jap fund mbretërimit të tij
Boksieri britanik Tyson Fury, ish-kampion bote në peshën e rëndë, thotë se është i vetmi njeri që mund t’i japë fund mbretërimit të Oleksandr Usyk.
Ukrainasi u shpall së fundi për të dytën herë si kampion i padiskutueshëm i këtij Divizioni, pas fitores me KO në “Wembley” ndaj Daniel Dubois.
Fury ka pësuar dy humbje me pikë ndaj Usyk, të cilat ende vihen në dyshim nga ylli britanik, i cili mbetet i sigurt se mund ta rrëzojë 38-vjeçarin e pamposhtur.
Në një postim të mbushur me fjalë të ashpra në Instagram, Fury tha: “Një përshëndetje e madhe për Oleksandr Usyk. Ai bëri një performancë fantastike ndaj Daniel Dubois, një djalosh i mirë, i ri, i cili erdhi për një ndeshje të mirë. Urime të dyve, por Usyk e di se ka vetëm një njeri që mund ta mposhtë atë. Unë e kam bërë dy herë më parë dhe bota e di këtë”.
Fury u tërhoq nga sporti pas humbjes në ndeshjen e kthimit, në dhjetor ndaj Usyk, por 36-vjeçari ka vijuar stërvitjen dhe është gati për rikthimin. Kohët e fundit ka postuar pamje të vetes përsëri në palestër me trajnerin SugarHill Steward, në formë dhe gati për të dueluar.
“Jam duke vrapuar në rrugë. U ktheva në shtëpi. E bëra punën time dhe e mora veten përsëri. Unë jam burri. Unë jam spartani. Pavarësisht se çfarë do të thotë dikush, unë i fitova ato ndeshje, të garantuara, 100%”, shtoi Fury.