Studimi: Smartfonët çojnë në 'mendime vetëvrasëse, vetëvlerësim të ulët dhe agresion' tek fëmijët nën 13 vjeç
Një studim i ri global zbulon se fëmijët nën moshën 13 vjeç që kanë qasje në telefonat inteligjentë përballen me rreziqe të mëdha për shëndetin mendor.
Ata janë më të predispozuar ndaj mendimeve vetëvrasëse, vetëvlerësimit të ulët, rregullimit të dobët emocional, agresionit dhe shkëputjes nga realiteti, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre që përdorin telefona më vonë. Vajzat duket se preken më shumë sesa djemtë, me 9.5% prej tyre që përjetojnë probleme serioze mendore, në krahasim me 7% të meshkujve.
Studimi, i publikuar në Journal of the Human Development and Capabilities dhe realizuar nga Sapien Labs, nxjerr në pah se fëmijët me qasje të hershme në telefonat inteligjentë përjetojnë gjithashtu ndërprerje të gjumit, ngacmim kibernetik dhe marrëdhënie negative familjare.
Shëndeti i tyre mendor përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme sa më gjatë që përdorin telefonin, me rezultate më të këqija të shfaqura në grupmoshën 18-20 vjeç, ndoshta për shkak të përdorimit të shtuar gjatë pandemisë COVID-19.
Autorja kryesore e studimit, Tara Thiagarajan, kërkon që përdorimi i telefonave inteligjentë të kufizohet për fëmijët nën 13 vjeç dhe të rregullohet nga autoritetet shtetërore, në mënyrë të ngjashme me ligjet për alkoolin dhe duhanin. Ajo propozon gjithashtu masa të rrepta për platformat e mediave sociale dhe edukim mbi shkrim-leximin dixhital.
Në Evropë, disa vende kanë nisur tashmë kufizime të përdorimit të telefonave celularë në shkolla, ndërsa po shqyrtohen masa të tjera për mediat sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme. Ministri francez i inteligjencës artificiale ka propozuar ndalim të mediave sociale për ata nën 15 vjeç, ndërsa ligjet e Bashkimit Europian po forcojnë mbrojtjen ligjore ndaj keqtrajtimit të fëmijëve në internet.