Avioni luftarak britanik F-35 i bllokuar largohet nga India pasi shkaktoi një breshëri memesh
Një avion luftarak britanik F-35B, i bllokuar për më shumë se një muaj në Aeroportin Ndërkombëtar të Thiruvananthapuram në Kerala, Indi, u ngrit më në fund në ajër pas riparimeve të kryera nga inxhinierë britanikë.
Avioni, një nga më të avancuarit në botë me një çmim rreth 100 milionë euro, kishte probleme hidraulike dhe me njësinë ndihmëse të energjisë, që e detyruan të ulej emergjentisht në Indi në qershor, pasi u përball me mot të keq gjatë fluturimit mbi Detin Arabik.
New house boat in Kerala #F35 #F35Jet pic.twitter.com/ZlzDtmQjOi
— VocalForLocal (@GoVocalForLocal) July 4, 2025
Pas ndërhyrjes së ekipit teknik britanik që prej 6 korrikut, riparimet u finalizuan dhe avioni rifilloi shërbimin aktiv, duke u nisur drejt aeroplanmbajtëses HMS Prince of Wales në Darwin, Australi. Zëdhënësi i Komisionit të Lartë të Mbretërisë së Bashkuar falënderoi autoritetet indiane dhe stafin e aeroportit për bashkëpunimin gjatë procesit.
Rasti i avionit të bllokuar u kthye në një fenomen viral në mediat sociale, ku përdoruesit krijuan meme humoristike që e përshkruanin avionin si “të kënaqur” me qëndrimin në Kerala. Një postim i departamentit të turizmit të këtij shteti shoqërohej me një vlerësim fiktiv me pesë yje dhe përshkrimin: “Kerala është një vend kaq i mrekullueshëm, nuk dua të largohem.” Zyrtari i turizmit K Biju e cilësoi këtë si një shaka të mirë për të falënderuar britanikët, vizitorët më të mëdhenj të rajonit.
Megjithë spekulimet se avioni mund të çmontohej dhe të transportohej me aeroplan mallrash, Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar mohoi çdo informacion të tillë, duke konfirmuar se riparimet u kryen me sukses dhe avioni u rikthye në fluturim.