'Rama dërgoi mesazh me emra...akoma janë ato 2 drejtorët në Vlorë?’'/ Gunbardhi: Është bërë lista se kush do t’i marrë tokat publike
Avokati dhe këshilltari i opozitës, Geron Gunbardhi, i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka hedhur akuza ndaj bashkisë së Vlorës dhe qeverisë, duke denoncuar atë që e cilësoi si “grabitje të tokave publike”.
Sipas Gunbardhit, një pjesë e tokave që ishin në pronësi të bashkisë janë hequr dhe po kalojnë në duart e njerëzve të lidhur me pushtetin. Ai përmendi një rast konkret ku, sipas tij, njëra prej parcelave do të përfundojë në pronësi të vëllait të një prej pronarëve të një mediaje të njohur. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 20 mijë metrash katrorë, në plazhin e vjetër të Vlorës, ngjitur me detin, ku ndodhen edhe kabina të hershme të ndërtuara në kohë më të vjetra.
Gunbardhi komentoi edhe shkarkimet e fundit të drejtorëve në bashki, duke i cilësuar jo si masa për përmirësimin e performancës, por si hakmarrje politike dhe mënyrë për të trembur ata që mund të flasin. “Në atë mënyrë, në atë formë dhune u dha një mesazh që: ‘mos flisni’”, tha ai.
Sipas tij, projektvendimet që po merren në këshillin bashkiak kalojnë pa asnjë diskutim, në mënyrë të paligjshme dhe automatike, duke zbatuar urdhrat pa u lexuar. “Këta që do vijnë nuk do t’u interesohet më ligji, por vetëm të zbatojnë urdhrat”, tha Gunbardhi, duke shtuar se shumica socialiste në këshill ngre dorën pa diskutim.
Ai bëri të ditur se IKMT ka ndërhyrë edhe në Llogara. Ndërkohë, akuzoi edhe kryeministrin për ndërhyrje direkte në punët e bashkisë, duke pretenduar se ai ka dërguar mesazhe me emra konkretë për shkarkime, dhe ka planifikuar ndarjen e zonave si Sazani, Zvërneci, vilat dhe Kanina për interesa të ngushta.
“Është bërë lista se kush do t’i marrë tokat publike. Është partia mbi të gjitha dhe lideri suprem vendos”, përfundoi Gunbardhi, duke paralajmëruar se grabitja e pronës publike po ndodh hapur dhe pa asnjë kontroll institucional.
Gunbardhi :
Ditën e djeshme u hoqën edhe një pjesë të disa tokave të cilat ishin pronë e bashkisë, ku një nga to do ta marrë vëllai i një prej pronarëve të një nga mediat më të njohura, janë kabina-kabina të plazhit të vjetër, është një sipërfaqe prej 20 mijë metra katrorë në buzë të detit, në plazh të vjetër, pra ngjitur me detin, se në atë kohë kështu bëheshin.
Unë e kam thënë edhe herë tjetër, të gjitha këto shkarkime të drejtorëve nuk ishin për të rritur performancën në bashki.
Ne e kemi ngritur në të gjitha mbledhjet e këshillit bashkiak që Vlora dhe bashkia kishte nevojë për një reformim, pra normal që duhet shikuar ku nuk kanë ecur punët dhe të bëhej një lëvizje drejtoresh se nuk është qameti që të lëvizin drejtorët, por në atë mënyrë, në atë formë dhune u dha një mesazh që ‘mos flisni’.
Dhe dje, projektvendimi që futën, e sollën në mënyrë të paligjshme, pra këta që do vijnë nuk do t’u interesohet më ligji, pra, zbato urdhrin, çoje me vrap, hidhe në këshill, këshilli ngre dorën direkt, se e ka për detyrë, pra nuk duhet të lexojë asgjë dhe nuk duhet të bëjë pyetje.
Kur themi këshilli, flasim për partinë socialiste që i kanë votat e mjaftueshme dhe ngrejnë dorën.
Siç e ndoqët edhe dje, edhe në Llogara ka vajtur IKMT, pra edhe Llogaraja, si Thethi i dha besën.
Është partia mbi të gjitha dhe është edhe lideri suprem, ishte dreka sekrete e cila u hëngër, e cila nuk dihet se me kë e hëngri tek vilat, pasi tek vilat panë projektet, se ndoshta duhet parë edhe nga afër grabitja e vilave, ju e keni parë që edhe vila qeveritare e cila është tokë dhe ka qenë me pronar, edhe ajo po grabitet, dhe siç dihet ka ngrënë drekë me arkitektët dhe me palët që do të interesohen për ta grabitur edhe këtë.
Para tre ditësh vetë kryeministri ka dërguar mesazh me emra, ‘akoma janë ato 2 drejtorët aty nëpër zyra’. Pra kontrollin për bashkinë se çfarë po ndodh e ka shumë të qartë dhe e ka shumë në kontroll, por nuk erdhi me helikopter për të kontrolluar drejtorët, janë planet siç i dini, është Sazani, është Zvërneci, janë vilat, është Kanina, pra janë gjithë këto lloj tokash publike të cilat është bërë lista kush do i marrë.