Skandali i mikrokredive/ Laze: Kjo nuk është më një histori vjedhjesh, ka viktima! SPAK po amniston autorët

Dosja penale për skandalin e mikrokreditëve, e cila ka kaluar për gjykim nga SPAK, ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik dhe mediatik. I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’, gazetari Elio Laze, e cilëson veprimin e fundit të prokurorisë si një amnisti të autorëve të vërtetë, ndërsa në gjykim janë dërguar vetëm ‘cirkonka’.

Elio Laze: Kjo dosje që ka vajtur në SPAK, më saktë që prokurori Kondili ka nisur tashmë dosjen për gjykim, është as më shumë e as më pak se gjithçka që ne si gazetarë kemi ngritur zërin. Janë të gjitha ato që ne kemi denoncuar, janë të gjitha gjëra të ditura publikisht dhe kjo mënyrë e dërgimit të dosjes në gjykatë, për mua është amnistim i autorëve realë dhe atyre që fshihen pas këtyre cironkave që kanë vajtur për gjykim.

Kjo histori nuk është dhe aq mikro por është shumë-shumë makro. Duhet ndalur pak se nuk është më histori vjedhjesh të lekëve të shqiptarëve. Këtu bëhet fjalë që ka viktima në këtë mes. Jemi fiks një vit pas vdekjes së Olsi Ibros. Një vdekje misterioze që akoma nuk është hetuar, që për mua... Për hir të së vërtetës që ka një akuzë shumë të thjeshtë që është mashtrimi me pasoja të rënda, nuk ka ndonjë gjë më shumë se këta të tjerët që sot po shijojnë jetën të lirë.

Duhet të dimë që kjo histori ka viktima të tjera. Ka qenë një punonjës i SHISH, zoti Mehmet Kadria, i cili sot nuk jeton më. Në një ditë korriku edhe ai, sepse çuditërisht ky korriku i marrka këta persona që qenkan të përfshirë në këtë historinë e mikrokredive, zoti Kadria pasi kishte ngritur publikisht zërin dhe po hetonte privatisht këtë bandë, pasi i kishte bllokuar pagën si të vetmin mjet jetese, zoti Kadria vdiq. Ndërroi jetë në moshën 59 vjeçare brenda institucionit. Dhe kjo është një vdekje e pa hetuar. Pas zotit Kadria kemi rastin e Pal Trashaj, i cili u vetëhelmua para dyerve të SPAK-ut. Me Pal Trashaj janë tallur të gjitha institucionet.