Në Theth, Rama donte t’i vinte ‘tritolin’ Kishës

Aksioni i dhunshëm i qeverisë shqiptarëve kundër shqiptarëve që banojnë e punojnë në Theth ishte një sinjal i nisjes së një pushteti thellësisht të padrejtë dhe të vjedhur duke krijuar premisat që nëpërmjet terrorit të fadromës të justifikohet edhe grabitja e 11 majit.

Opozita e ka denoncuar sjelljen e shtetit shqiptar në Theth dhe ka kërkuar që banorët, që kishin investuar, të kompensoheshin. Kishte edhe nga ata eksponentë të opozitës që kërkuan ndalimin e një aksioni të tillë të dhunshëm në një zonë që nuk ka qenë e dhunshme asnjëherë. Një zonë që ka jetuar në harmoni me natyrën me virtytet e veta dhe nuk ia ka shtrirë dorën askujt as për bukë e as për uje. Besa, as për qeverisje. Me mijëra vjet kanë pasur ligjet e veta e kodet e veta që janë respektuar deri në detaje. Duke mos i krijuar asnjë problem mbijetesës së tyre e gjallnisë shekullore.

Por vjen një ditë dhe njëri nga pasardhësit e denjë të diktaturës komuniste pasi i mashtroi me taborret e mediave të tij banorët e Thethit për tu marrë votën, me 11 maj, direkt pasi fitoi pushtetin herë me tren bullgar e here me Lamborghini halabakësh e banditësh, u nisi si dhuratë banorëve paqësore të Thethit fadromat. Thethjanët dhe zonat e tjera përreth kanë pritur prej 30 vitesh me mijëra turistë nga mbarë bota. Mijëra udhëtarë nga çdo kënd i botës dhe e kanë bërë të njohur Shqipërinë veç për mirë. Kanë ngritur në qiell bujarinë, bukëdhënien e besën pa asnjë farë limiti. Pra i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve me shumë se askush tjetër, emër të mirë.

Nëpër të gjithë mediat e botës është folur e shkruar për Thethin. Për bukuritë natyrore të virgjëra të veriut të Shqipërisë. Për kullat e bukura e për ujin e kristaltë. Por është folur në themel edhe për traditën e shqiptarit në përgjithësi e në veçanti atë të malësorit që nuk ka ndryshuar shumë ndër shekuj. Vetëm shndrit qartësisht.

Fadromat shkuan në Theth pasi shteti që ata nisën t’i besonin i gënjeu dhe i mashtroi. Një herë që i besuan një qeveritari ai i preu në besë. U tha kthehuni në tokat tuaja, ndërtoni dhe investoni. Për këtë ka shembuj sa të duash. Ka deklarata të kreut të qeverisë dhe të gjithë pushtetarëve lokalë të rilindjes. U arrit deri atje se elozhet për Edi Ramën të thureshin si poezitë e shpëtimit, “po ndihmojmë edhe njerëzit tanë jashtë me punën nëpër bujtina”. Kjo ta ketë vrarë Edi Ramën. Apo ka diçka më strategjike pas kësaj. Ndoshta do kuptojmë më shumë për këtë, kohë më vonë.

Ata banorë nuk u nënshtruan kurrë. As paraardhësve të egër e masakrues të Ramës nuk iu nënshtruan. Prandaj duhej një kurth që edhe ata të nënshtroheshin. Ata e përballuan edhe këtë kurth të fundit ndaj tyre. E përballuan pa nxit sherrnajë e pa shkrepur një “za” kumbues. Dikush i quajti të dobët, të paaftë të reagonin etj, etj. Unë i qëndroj besnik ritit të tyre qindravjeçar që edhe armikut i duhet hapë dera kur vjen pa armë. Ndoshta vjen për paqe. Edhe pse fadromat e qeverisë rrëzuan disa shtëpiza e disa shtëpi, ato nuk e shembin dot kurrë shpirtin e thethjanëve fisnikë shqiptarë. Një herë mashtrohet çdo njeri. Nëse përsëritet, e të besosh sërish, atëherë faji lëkundet. Ndoshta shërben si mësim edhe për të mashtruarit për të disten herë, në krahina të tjera shqiptare.

Të jeni të sigurte se Edi Rama në Theth nuk dërgoi fadromat dhe tritolin për ato barakat e dërrasës. Ishte aksion kundër çdo reagimi të mundshëm qytetar pas farsës së 11 majit. Ai e kishte gjithë atë armatë ushtarësh e policësh që t’i vendoste “tritolin” kishës së bukur të Thethit që është bërë kartolina e asaj zone dhe e gjithë Shqipërisë. Dhe atë kartolinë nuk e kanë shpërndarë oligarkët e tij. Do e bënte njësoj si vjetanikët e tij me 1967. Por dështoi. Kisha është në këmbë, e thethjanët rreth saj. Por lutja nuk duhet të zgjasë pa fund...