Aksident në Aksin Shëngjin–Velipojë/ Makina përplaset me një dyqan, katër persona të lënduar
Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:10, në aksin rrugor Shëngjin–Velipojë, në afërsi të fshatit Rrjoll.
Sipas informacioneve paraprake, një shtetas nga Kosova, i identifikuar me inicialet J. B., dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një dyqan buzë rrugës.
Si pasojë e përplasjes, janë lënduar drejtuesi i mjetit dhe tre pasagjerë të tjerë, të cilët janë familjarë të tij. Të katërt janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Ende nuk dihet shkaku i humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit të automjetit.