Skandali/ Kina gjen një justifikim për helmimin me plumb të 200 fëmijëve

Një hetim zyrtar në Kinë ka zbuluar përpjekje të qëllimshme për të fshehur një skandal helmimi nga plumbi që preku qindra fëmijë në veriperëndim të vendit, duke shkaktuar zemërim të gjerë në opinionin publik.

Autoritetet provinciale të Gansusë raportuan se dhjetëra zyrtarë lokalë dhe staf spitalor në qytetin Tianshui manipuluan analizat e gjakut të fëmijëve të helmuar në kopshtin privat “Peixin”, në përpjekje për të mbuluar gjurmët e ngjarjes. Sipas raportit, zyrtarët kishin pranuar ryshfete dhe kishin neglizhuar inspektimet e sigurisë ushqimore, ndërsa në kuzhinën e institucionit përdorej bojë e pangrënshme për ta bërë ushqimin më tërheqës për fëmijët.

Analizat kanë treguar se ushqimet përmbanin përqendrime plumbi 2,000 herë mbi normën e lejuar, një fakt tronditës që çoi në arrestimin e tetë personave, përfshirë drejtorin e kopshtit, kuzhinierët dhe një investitor. Deri tani, 234 nga 235 fëmijët e helmuar janë liruar nga spitali, ndërsa autoritetet kanë nisur procedura disiplinore dhe ndjekje penale për dhjetëra zyrtarë të përfshirë. Raporti kritikoi ashpër edhe stafin mjekësor të Spitalit Popullor Nr. 2 të Tianshui për keqmenaxhim të situatës dhe shkelje të rënda të detyrës.

Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale kineze, me reagime të përziera mes përgëzimeve për transparencën dhe kërkesave për dënime të ashpra ndaj fajtorëve. Për dallim nga zyrtarët lokalë, raporti lavdëroi ndërhyrjen e shpejtë të qeverisë qendrore, e cila mblodhi një grup ekspertësh për të analizuar të gjitha shkeljet procedurale. Si reagim ndaj skandalit, të hënën Kina publikoi udhëzime të reja për sigurinë ushqimore në institucionet arsimore, duke kërkuar testim të detyrueshëm të produkteve ushqimore dhe blerje të centralizuara të lëndëve të para.

Ndërkohë, autoritetet në Tianshui kanë vendosur që trajtimi mjekësor për fëmijët e prekur do të ofrohet falas dhe familjeve do t’u garantohet ndihmë ligjore. Kopshti Peixin do të kalojë përkohësisht në administrim shtetëror, ndërsa hetimet për këtë çështje të rëndë vijojnë.