OKB shpreh shqetësim për arrestimet e grave afgane që nuk zbatojnë kodin e veshjes së talebanëve
Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin për shtimin e arrestimeve të grave dhe vajzave në Afganistan, të cilat dyshohet se nuk kanë ndjekur udhëzimet e rrepta të talebanëve për mënyrën e veshjes. Sipas Misionit të OKB-së në Afganistan (UNAMA), dhjetëra gra janë ndaluar mes datave 16 dhe 19 korrik në Kabul, nën akuzën se nuk kishin respektuar kodin e hixhabit të vendosur nga autoritetet.
“Këto incidente shërbejnë për të izoluar më tej gratë dhe vajzat, për të kontribuar në një klimë frike dhe për të gërryer besimin e publikut,” thuhet në deklaratën e OKB-së, e cila kërkoi nga administrata talebane të anulojë politikat diskriminuese që shkelin të drejtat themelore të grave dhe vajzave.
Organizata ndërkombëtare theksoi veçanërisht ndalimin e arsimit përtej klasës së gjashtë dhe kufizimet e rrepta për lirinë e lëvizjes dhe të shprehjes së tyre.
Që pas rikthimit në pushtet në gusht 2021, talebanët kanë vendosur rregulla gjithnjë e më të ashpra për gratë, përfshirë një dekret të vitit 2022 që u kërkonte atyre të mbanin burka që mbulojnë trupin nga koka te këmbët, duke lënë vetëm sytë të zbuluar.
Ministria e Veseve dhe Virtyteve, përgjegjëse për zbatimin e këtyre ligjeve, ka deklaruar më parë se ka ndërmarrë masa ndaj grave që mbajnë “hixhab të keq”, pa sqaruar as se çfarë përfshihet në këtë përkufizim, as numrin e saktë të arrestimeve.
Misioni i OKB-së po shqyrton gjithashtu pretendimet për keqtrajtim dhe zhvatje gjatë mbajtjes në paraburgim të këtyre grave. Nga ana tjetër, një përfaqësues i talebanëve nuk ishte i disponueshëm për koment lidhur me këto akuza.
Ndërsa talebanët përpiqen të sigurojnë njohje ndërkombëtare për qeverisjen e tyre, Rusia mbetet i vetmi vend që ka ofruar njohje zyrtare ndaj regjimit në Kabul. Por ndërkombëtarisht, veprimet ndaj grave po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një formë aparteidi gjinor që minon të drejtat njerëzore në mënyrë sistematike./ Euronews - Syri.Net