Britania nis sanksione të reja ndaj bandave të kontrabandës së njerëzve: Shënjestrohen krerët, zyrtarët e korruptuar dhe rrjetet financiare

Qeveria britanike do të shpallë këtë javë sanksionet e para financiare ndaj krerëve të bandave të kontrabandës së njerëzve, zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive që furnizojnë pajisje për varka të vogla, në kuadër të një fushate për ndalimin e imigracionit të paligjshëm. Masa, e përshkruar nga autoritetet si “e para në botë” në llojin e saj, synon të çmontojë rrjetet kriminale që organizojnë kalimet e rrezikshme të Kanalit Anglez.

Sipas qeverisë, të mërkurën do të bëhen publike emrat e dhjetëra individëve që do të sanksionohen, përfshirë edhe ata që merren me dokumente të falsifikuara, furnizim varkash dhe transferime parash përmes sistemit informal Hawala. Pas publikimit, këtyre personave do t’u ngrijnë asetet dhe do t’u ndalohet hyrja dhe veprimtaria financiare në Britani.

Kryeministri Sir Keir Starmer e ka cilësuar këtë si një shtyllë kyçe të planit të tij për të shkatërruar bandat e kontrabandës, një premtim që ai e dha gjatë fushatës zgjedhore. Strategjia e re është një përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të kalimeve me varka të vogla – mbi 20,000 persona vetëm në gjysmën e parë të vitit, një rritje prej 50% krahasuar me 2024.

Sekretari i Jashtëm, David Lammy, tha se për shumë kohë, kriminelët kanë shfrytëzuar njerëzit e cenueshëm pa asnjë ndëshkim. Ndërkohë, sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, theksoi se regjimi i ri i sanksioneve do të godasë drejtpërdrejt strukturat financiare dhe operacionale të këtyre rrjeteve kriminale, kudo ku ndodhen.

Por masa është kritikuar nga opozita. Sekretari i brendshëm në hije, Chris Philp, u shpreh se “nuk ndalon dot kalimet e Kanalit me ngrirje llogarish në Bagdad apo ndalim udhëtimi për tregtarë gomonesh në Damask”, duke e quajtur situatën një krizë sigurie publike.

Në të njëjtën ditë, kreu i Reform UK, Nigel Farage, paralajmëroi për tensione në rritje në shoqëri, duke iu referuar protestës së dhunshme në Essex, ku fishekzjarrë e shishe u hodhën drejt policisë jashtë një hoteli me azilkërkues. Farage theksoi se vendi po shkon drejt mosbindjes civile në shkallë të gjerë.

Qeveria thotë se këto sanksione janë mënyra më efikase për të ndërprerë burimet financiare të kontrabandistëve dhe për të parandaluar kalimet e rrezikshme që po shkaktojnë pasoja serioze për sigurinë dhe jetën e emigrantëve.