Trump deklasifikon mbi 230 mijë faqe dokumente për vrasjen e Martin Luther King
Administrata e Presidentit Donald Trump ka publikuar të hënën më shumë se 230,000 faqe dokumentesh të deklasifikuara që lidhen me vrasjen e udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King Jr., më 1968.
Kjo masë, pjesë e një urdhri ekzekutiv të firmosur më 23 janar nga Trump, përfshin gjithashtu dosje për vrasjet e Presidentit John F. Kennedy dhe të vëllait të tij, senatorit Robert F. Kennedy.
Publikimi i dokumenteve erdhi pavarësisht shqetësimeve të shprehura publikisht nga familja e Dr. King, e cila druhet se informacionet e nxjerra mund të përdoren për të sulmuar figurën dhe trashëgiminë e tij. Në një deklaratë të përbashkët, fëmijët e King shprehën frikën për “keqpërdorimin e materialeve për të zbehur arritjet e lëvizjes për të drejtat civile dhe ndikimin historik të babait të tyre”.
Drejtuesja e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, sqaroi se dokumentet e publikuara përmbajnë kryesisht hetime të FBI-së mbi udhëtimet jashtë vendit të vrasësit të dyshuar, si dhe dëshmi të marra gjatë viteve. Ajo theksoi se administrata është e përkushtuar për “transparencë të plotë” mbi një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë amerikane.
Kujtojmë se vetë Dr. King ishte objekt i një fushate të gjerë mbikëqyrjeje dhe dezinformimi të orkestruar nga FBI-ja gjatë drejtimit të J. Edgar Hoover, me synim diskreditimin e tij personal dhe të kauzës për të cilën ai luftoi.
Familja King ka shprehur gjithashtu mosbesim të vazhdueshëm ndaj versionit zyrtar të ngjarjeve, duke refuzuar të besojnë se James Earl Ray ishte autori i vetëm i atentatit të 4 prillit 1968 në Memphis. Ray, një segregacionist i njohur, vdiq në burg në vitin 1998.