Mot përvëlues në vend: Temperaturat arrijnë deri në 40°C, ja parashikimi për sot

I nxehti afrikan vijon të ushtrojë ndikimin e tij mbi territorin shqiptar edhe gjatë ditës së martë, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura përvëluese, veçanërisht në zonat jugore të vendit ku pritet të arrihet maksimumi prej 40 gradë Celsius.

Meteorologët paralajmërojnë se ndonëse orët e pasdites do të sjellin disa vranësira të pakta, ato nuk do të shoqërohen me reshje.

Vranësirat do të jenë më të dukshme në zonat verilindore dhe juglindore, por probabiliteti për reshje është thuajse zero. Megjithatë, shqetësuese mbetet rritja e ndjeshme e lagështirës relative në ajër, e cila e bën nxehtësinë të ndihet më përvëluese dhe e rëndon ndjeshëm përjetimin e temperaturave të larta.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë, duke u luhatur nga 13°C në qytetin e Ersekës deri në 40°C përgjatë Ultësirës Perëndimore. Kjo valë e të nxehtit pritet të vijojë për disa ditë me radhë.

Era do të jetë në përgjithësi e lehtë, por herë pas here do të fryjë mesatare, me shpejtësi deri në 28 km/h, nga drejtimi perëndimor. Në zonat bregdetare do të krijohet dallgëzim i ulët, duke mos sjellë probleme të dukshme për lundrimin detar apo pushuesit. Autoritetet vijojnë të bëjnë apel për kujdes, veçanërisht ndaj të moshuarve dhe fëmijëve gjatë orëve të pikut.