FOTO/ Nga kontenierët në Porsche, shqiptarët prisnin kokainën nga Ekuadori, 7 të arrestuar

Një rrjet i organizuar grek që vepronte prej muajsh në Portin e Pireut, duke trafikuar kokainë të fshehur në kontejnerë me mallra, u shkatërrua këtë mëngjes nga Njësia e Luftës kundër Narkotikëve.

Mësohet se kokaina do të shkonte në një organizatë shqiptare e cila do ta shpërndante.

Janë 7 persona të cilët janë arrestuar gjatë operacionit të befasishëm, përfshirë punonjës të portit që shfrytëzonin pozitat e tyre për të nxjerrë drogat nga zona e kontrolluar.

Sipas hetimeve, kokaina vinte nga Ekuadori, e fshehur në kontejnerë me banane. Pasi anija mbërriti në Pire, dy prej të arrestuarve, punonjës me akses të posaçëm, nxorën nga kontejnerët 34 kilogramë kokainë dhe e transportuan me motoçikleta në një Porsche Cayenne, ku i priste një tjetër anëtar i grupit. Droga kishte si destinacion final tregtarë shqiptarë të narkotikëve.

Pas marrjes së drogës, shoferi i Porsche-s tentoi të largohej me shpejtësi, por u përplas me mjete të parkuara, pasi më parë u përpoq të përplaste një automjet të policisë. Në ndjekjen që pasoi, oficerët e policisë përdorën armë zjarri, duke qëlluar në gomat e makinës për ta ndalur. Automjeti luksoz, mësohet se ishte në pronësi të njërit prej të arrestuarve.

Hetimet zbuluan një strukturë të mirëorganizuar ku secili nga anëtarët kishte rol të caktuar. Udhëheqësi i dyshuar është një 35-vjeçar me precedentë penalë për narkotikë, i cili mendohet se kishte lidhje të drejtpërdrejta me rrjete ndërkombëtare të trafikut.

Një tjetër i arrestuar ishte përgjegjës për ndërrimet në port, duke planifikuar që të gjithë anëtarët të ishin në turnin e duhur kur mbërrinte droga. Ndërsa një tjetër kishte si detyrë të manipulonte sistemin e kamerave për të fshehur gjurmët e grupit.

Sipas burimeve nga hetimi, pagesa për nxjerrjen dhe dorëzimin e sigurt të drogës për çdo kontejner arrinte deri në 200 mijë euro, shumë e cila më pas ndahej mes anëtarëve të rrjetit.

Ndërsa hetimet janë ende në zhvillim, autoritetet greke po punojnë për të zbuluar bashkëpunëtorët e tjerë brenda dhe jashtë vendit, përfshirë rrjetet shqiptare të trafikut që duket se ishin përfituesit kryesorë të dërgesës së kapur.