Vazhdon zjarri në Këlcyrë / Zjarrfikës dhe ushtria në terren për të frenuar përhapjen e flakëve

Vatra e zjarrit që ka përfshirë zonën malore të Koshinës në bashkinë Këlcyrë vijon të jetë aktive, ndërsa situata mbetet e vështirë për shkak të terrenit të thyer.

Në operacionin për përballimin e flakëve janë angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëse të qarkut Gjirokastër, ndërkohë që janë shtuar edhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura për të mbështetur përpjekjet në terren.

Ekipet zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë ditës për izolimin e vatrës, duke bërë përpjekje për të parandaluar përhapjen e saj drejt fshatrave Kutal dhe Frashër. Deri më tani nuk raportohet për rrezikim banesash, por situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Për shkak të vështirësive në terren dhe kushteve të erës, shuarja e plotë e zjarrit është e pamundur për momentin. Vatra do të monitorohet gjatë gjithë natës nga ekipet në terren për të shmangur rindezjen ose përhapjen në zona të tjera të banuara.

Autoritetet lokale dhe emergjencat civile vijojnë të jenë në gatishmëri, ndërsa i bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo sinjal të mundshëm për rrezik zjarri në zonë.