Platforma 'X' refuzon të bashkëpunojë me autoritetet franceze, akuzon drejtësinë për hetim të motivuar politikisht
Platforma X, në pronësi të Elon Musk, akuzoi sot autoritetet gjyqësore franceze për nisjen e një “hetimi penal të motivuar politikisht”, i cili, sipas saj, rrezikon lirinë e shprehjes të përdoruesve. Kompania mohoi të gjitha akuzat dhe deklaroi se nuk do të bashkëpunojë me autoritetet në Paris.
Hetimi paraprak nga prokuroria franceze nisi më herët këtë muaj, për të verifikuar nëse platforma ka manipuluar algoritmet e saj dhe ka mbledhur të dhëna personale në mënyrë të paligjshme.
Në kuadër të këtij procesi, policia franceze ka të drejtën të ndërmarrë hetime apo përgjime ndaj vetë Elon Musk dhe drejtuesve të lartë të platformës, ose të kërkojë paraqitjen e tyre si dëshmitarë. Nëse ata refuzojnë, mund të lëshohet urdhër-arresti.
“Duke u bazuar në informacionet që disponojmë deri tani, platforma X beson se ky hetim shtrembëron ligjin francez me qëllim për të avancuar një agjendë politike dhe përfundimisht për të kufizuar lirinë e shprehjes,” thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë përmes llogarisë së saj Global Government Affairs. “Për këto arsye, X nuk pajtohet me kërkesat e autoriteteve franceze, ashtu siç kemi të drejtë të bëjmë.”
Nuk është ende e qartë se cilat janë kërkesat specifike të paraqitura nga prokuroria ndaj platformës. Refuzimi për bashkëpunim mund të rezultojë që nga gjoba administrative deri në akuza për pengim të drejtësisë.
Prokuroria e Parisit nuk ka komentuar ende publikisht mbi rastin.
Sipas X, nxitës i hetimit ka qenë deputeti francez Éric Bothorel, i cili ka akuzuar platformën se ka “manipuluar algoritmin për të lejuar ndërhyrje të huaja”, një pretendim që kompania e cilësoi si “plotësisht të pabazë”.
Në deklaratën e tij, Bothorel mbrojti pavarësinë e drejtësisë franceze. “Kjo është një parim që duket se është përmbysur krejtësisht në SHBA aktualisht,” tha ai. “Franca mbron lirinë e shprehjes, por kjo nuk është pa kufij. Mungesa e përgjegjësisë dhe mbikëqyrjes rrezikon lirinë po aq sa ndalimet dhe censura.”
Elon Musk, ish-mbështetës i presidentit amerikan Donald Trump, ka akuzuar shpesh qeveritë evropiane për shkelje të lirisë së fjalës dhe ka shprehur mbështetje për disa parti të ekstremit të djathtë në Evropë.
Hetimi francez mund të thellojë edhe më shumë përplasjen mes SHBA-së dhe Evropës për çështjen se çfarë lloj përmbajtjeje lejohet në internet. Disa zyrtarë amerikanë pretendojnë se zërat e ekstremit të djathtë po censurohen në mbarë botën. Komisioni Evropian po heton që nga fundi i vitit 2023 nëse platforma X ka shkelur rregullat kundër përmbajtjes së paligjshme në internet.
Sipas kompanisë, prokurorët francezë kanë kërkuar të dorëzohen të gjitha postimet e përdoruesve për analizë nga dy studiues, David Chavalarias dhe Maziar Panahi, të cilët – sipas X – kanë treguar më parë “armiqësi” ndaj platformës. Chavalarias nuk komentoi, ndërsa Panahi mohoi çdo përfshirje në hetim.
“Emri im është përmendur gabimisht, për shkak të bashkëpunimit tim të mëparshëm me David Chavalarias në projekte kërkimore, asnjë prej të cilëve nuk kishte ndonjë qëllim armiqësor ndaj platformës X. Që emri im përmendet në mënyrë të pasaktë tregon sa pak interes ka kompania për ndikimin në jetët e të tjerëve. Nëse përballem me ndonjë formë retorike urrejtjeje, nuk do të hezitoj të ndjek rrugën ligjore për shpifje,” deklaroi Panahi.
Platforma X nuk komentoi më tej për këtë përgjigje, por kritikoi faktin që po hetohet bazuar në ligjin për krimin e organizuar, gjë që i jep autoriteteve të drejtën të monitorojnë pajisjet elektronike personale të punonjësve të saj.