Red Bull-i, i qetë për të ardhmen e Verstappen: Mund të takohet me kë të dojë
Me rikthimin e Formula 1 këtë fundjavë në Belgjikë, spekulimet mbi të ardhmen e Max Verstappen janë rikthyer në qendër të vëmendjes. Megjithatë, këshilltari i Red Bull-it, Helmut Marko, ka minimizuar zërat që e lidhin holandezin me Mercedesin dhe është shprehur i bindur se kampioni botëror do të respektojë kontratën e tij me ekipin austriak.
“Max mund të takohet me kë të dojë. Ne kemi një kontratë të vlefshme dhe supozojmë që ai do të qëndrojë me ne,” u shpreh Marko për OE24 Sport, duke iu referuar raportimeve për një takim mes Verstappen dhe Toto Wolff, shefit të Mercedes, në Sardenjë gjatë pushimit pas garës së Silverstone.
I pyetur nëse Verstappen kishte ndikuar në largimin e Christian Horner nga Red Bull-i, Marko u përgjigj shkurt: “Max u informua, nuk dua të komentoj më shumë.” Kujtojmë që piloti holandez ka kontratë me Red Bull-in deri në fund të vitit 2028.
Në pjesën tjetër të intervistës, vëmendja u përqendrua te Kampionati i Pilotëve, pasi ai i Konstruktorëve është bërë tepër i vështirë për Red Bull-in. Megjithatë, Marko mbetet optimist: “Janë edhe 332 pikë në lojë, që është një paketë e mirë. Shpresojmë që përmirësimet që do të sjellim në Spa dhe Budapest të kenë ndikim.”
Ai paralajmëroi se me dy sesione stërvitore të anuluara dhe formatin sprint në Spa, çdo detaj do të jetë i rëndësishëm: “Nuk mund të na shkojë keq në stërvitjet e së premtes. Duhet të jemi të saktë që nga fillimi.”
Aktualisht, Verstappen ka 165 pikë dhe ndodhet 69 pikë prapa liderit Oscar Piastri, ndërsa Lando Norris i është afruar shokut të skuadrës te McLaren. Me zhvillimet e fundit dhe përmirësimet e planifikuara, Red Bull-i synon një rikthim të madh në garën për titullin.