‘Duart e mia janë të pastra’/ Skandali në Milano, kryebashkiaku Sala nuk dorëhiqet

Nga Alba Kepi

Giuseppe Sala, kryetari i bashkisë së Milanos, nuk jep dorëheqjen: ‘Duart e mia janë të pastra’. Këtë pasdite referojë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Kryebashkiaku i Milanos hedh poshtë akuzat në hetimin mbi urbanistikën dhe merr mbështetjen e Partisë Demokratike. Ndërkohë, jep dorëheqjen këshilltari Tancredi, i hetuar dhe nën arrestin shtëpiak.

Kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, ka konfirmuar se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pavarësisht se është nën hetim për çështjen e urbanistikës së qytetit. Pas një sërë takimesh me partitë e shumicës qeverisës dhe veçanërisht me Partinë Demokratike, të cilës i përket, Sala ka vendosur të vazhdojë mandatin e tij, duke theksuar se nuk ka arsye për të dhënë dorëheqjen.

Ndryshe ka vepruar këshilltari për Rigjenerimin Urban, Giancarlo Tancredi, gjithashtu i hetuar dhe për të cilin Prokuroria ka kërkuar arrest shtëpiak, i cili ka dhënë dorëheqjen.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku i Milanos  ka nënvizuar korrektësinë e veprimeve të tij: ‘Duart e mia janë të pastra. Gjithçka që kam bërë gjatë dy mandateve të mia është bazuar vetëm dhe vetëm mbi interesin e qytetarëve. Nuk ekziston asnjë veprim që mund të më sjellë përfitim personal.’

Ai ka shtuar se nuk do të destabilizohet nga sulmet politike: ‘Nëse e bëni për një foto-lajm është një gjë, por nëse mendoni të më destabilizoni nuk keni asnjë mundësi: në jetë kam përballuar gjëra njëqind herë më të rënda’, u shpreh ai.

Partia Demokratike, dega e Milanos ka rikonfirmuar mbështetjen për kryebashkiakun. Sekretari i saj Alessandro Capelli është shprehur; ‘Si delegacion, i kemi përsëritur kryetarit të Bashkisë mbështetjen tonë, duke kërkuar nevojën për sinjale ndryshimi për të përballuar nevojat e reja të qytetit: të drejtën për banim, drejtimin e zhvillimit urban, aksesueshmërinë, barazinë dhe një qytet publik.’