Fier/ Shpërthen një bombul gazi, dy persona përfundojnë në spital
Një bombul gazi ka shpërthyer pasditen e sotme në një banesë në lagjen “1 Maji” të Fierit, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.
Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar seriozë, por burimet bëjnë me dije se ndërtesa ku ndodhi shpërthimi shërben si pikë e vogël tregtimi gazi. Pronari i këtij objekti dhe një person tjetër janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Gjithashtu, ngjarja ka alarmuar edhe banorët e lagjes, të cilët me mjete rrethanore i kanë ardhur në ndihmë situatës deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.