VIDEO/ Gjyqtarët nën përgjim nga SPAK, Gjokutaj: Minohet pavarësia e gjyqtarëve dhe proceseve
Avokati Genc Gjokutaj ka ngritur shqetësimin për paanshmërinë e Gjykatës se Posaçme në procesin gjyqësor ndaj kryetarit të opozitës në Shqipëri, Sali Berisha.
Gjatë bisedës në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Gjokutaj u shpreh se, gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme janë nën përgjim nga SPAK, dhe kjo ngre dyshime se sa mund të jenë ata objektivë dhe se si mund ti dalin kundër prokurorisë, edhe kur kjo e fundit e ka gabim.
‘Kjo mazhorancë në projektin e saj për kapjen e drejtësisë, e cila tashmë e ka realizuar si qëllim, në reformën për drejtësi ka futur një ligj të cilin e ka implantuar në Kushtetutë, ku thuhet se gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme para se të emërohen, firmosin dhe pranojnë kontrollin e llogarive bankare të tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe të vihen në përgjim periodik, këta vetë dhe familjarët e tyre.
Atëherë, ku është pavarësia dhe paanshmëria e kësaj gjykate? E kam thënë dhe më herët, që gjykatësi kur të veshë togën dhe të dalë për të dhënë drejtësi duhet të plotësojë dy kushte; i pari të jetë i pavarur nga shteti dhe të jetë i paanshëm ndaj palëve.
Si mund të jetë kjo gjykatë e përgjuar dhe e kontrolluar deri në të brendshmet e saj, e kontrolluar nga SPAK dhe kjo të jetë e barabartë përballë nesh dhe SPAK?
Prandaj tha ai drejtuesi ‘afër mendsh gjykata vendos siç kërkojmë ne’.
Ne kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues do ta bënim pavarësisht se kush gjyqtar do të binte. Ne kërkojmë në fund, që organet kompetente ta caktojnë këtë çështjeve tek gjyqtarët që nuk e kanë këtë presion, kontroll. Edhe ndaj atyre do të turren se këta e kanë program këtë punë, nuk mund ta lënë çështjen e Berishës pa futur hundët dhe duart’, u shpreh avokati Genc Gjokutaj në SYRI TV.