SYRI TV/ Debatet për parkun fotovoltaik në Kaninë, Këshilli Bashkiak i Vlorës s'i bindet Ramës, e heq nga rendi i ditës
Debatet për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Kaninë kanë marrë një tjetër rrjedhë. Këshilli Bashkiak i Vlorës ka hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e projektit të shumëdebatuar, ndërkohë që edhe kreu i bashkisë, Ermal Dredha, nuk duket shumë i qartë për ndërtimin e tij.
Nga ana tjetër, këshilltarët e opozitës e kanë kundërshtuar ndërtimin e parkut. Pritet ndërkohë se cili do të jetë reagimi i kryeministrit Rama për këtë situatë.
Këshilli Bashkiak i Vlorës ka hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e projektit shumëdebatuar të dhënies së një sipërfaqe prej 830 hektarësh për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Kaninës. Projekti u kundërshtua me forcë nga banorët dhe nga ana tjetër mendohet se ishte shkak i përplasjeve të Kryeministrit Rama me kreun e bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, e cila u pasua edhe me shkarkime masive në këtë bashki.
Tërheqja nga rendi i ditës u paralajmërua një ditë më parë përmes një postimi në rrjetet sociale nga kryetarja e Këshillit Bashkiak të qytetit, Elpiniqi Mërkuri, e cila pretendonte se Bashkia e Vlorës nuk e ka titullin e pronësisë së këtij trualli. Gjatë mbledhjes, këshilltari demokrat Atird Hoxha, teksa kundërshtoi ndërtimin e këtij parku fotovoltaik, denoncoi edhe manovrat jo transparente të bashkisë në trajtimin e kësaj çështjeje.
Edhe këshilltarët e tjerë të opozitës, Eda Begaj dhe Ermal Arapaj, kundërshtuan ndërtimin e parkut në Kaninë.
Gjatë debateve, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, dha një variant tjetër për këtë projekt, teksa pretendoi se ai nuk parashikon përdorimin e të gjithë sipërfaqes dhe se zona mund të mbetet pjesërisht e lirë për fermerët. Megjithatë, Dredha ishte i paqartë nëse ky projektvendim do të mund të rikthehet sërish në Këshillin Bashkiak.
“Nuk dua të them nëse projektvendimi do të vijë sërish në këshill apo jo, por nëse do të jetë brenda kuadrit ligjor, mund të rikthehet. Ne po kërkojmë toka të pashfrytëzuara për investime të tilla në të ardhmen.”
Nuk dihet cili do të jetë reagimi i Kryeministrit Edi Rama ndaj zhvillimeve të fundit në Këshillin Bashkiak të Vlorës, ndërsa janë ende të freskëta imazhet e debatit të tensionuar mes shefit të qeverisë dhe kryebashkiakut Dredha në festën e Partisë Socialiste pak javë më parë. Projekti për ndërtimin e parkut fotovoltaik parashikon dhënien e një sipërfaqe prej 830 hektarësh me afat përdorimi 10-vjeçar dhe me të drejtë rinovimi. Banorët e Kaninës kanë kundërshtuar projektin pasi kjo sipërfaqe përdoret nga qindra blegtorë të zonës dhe është burimi i vetëm i jetesës për ta.