SYRI TV/ Prej 9 muajsh të bllokuar në portin e Durrësit: 9 marinarë të huaj nuk lejohen të largohen nga Shqipëria
Prej 9 muajsh, 9 marinarët nga Siria dhe Egjipti vijojnë të jenë të bllokuar në Portin e Durrësit, pasi anija e tyre u kap me 850 mijë litra naftë kontrabandë. Në pamundësi për t’u kthyer në shtëpi për shkak se pasaportat e tyre janë bllokuar nga autoritetet shqiptare për shkak të hetimit, ata ndodhen në kushte të vështira jetese, pa ujë e ushqime. Tonin Gjinaj, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit, kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve për lirimin e tyre, duke theksuar se akuzat ndaj tyre kanë rënë.
Nëntë marinarë të huaj vijojnë të qëndrojnë të bllokuar prej nëntë muajsh në portin e Durrësit. Ata nuk lejohen të largohen nga Shqipëria, pasi janë nën hetim për kontrabandë nafte.
Ndërkohë, kushtet e tyre jetësore janë përkeqësuar ndjeshëm. Të huajt nuk kanë mundësi të rikuperojnë pasaportat dhe jetojnë në kushte të vështira, me mungesë ushqimesh dhe pa mbështetje financiare. Tonin Gjinaj, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit, kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve për lirimin e tyre, duke theksuar se marinarët janë tashmë të liruar nga akuzat.
"Ka 9 muaj që nuk marrin as paga dhe janë në vështirësi më bazën ushqimore, për ushqim, për veshmbathje, për ujë. I bëj thirrje të gjitha organeve kopetente, para se të shkojnë të shijonë rrezet e diellit dhe pushimet të kthejnë vëmendjen edhe tek këta fatkeq ku drejtësia rri në gjumë. Janë 9 veta të cilët kanë pasur edhe probleme shëndetsore dhe gjithashtu është thirrur edhe urgjenca." - tha Gjinaj.
Anija me të cilën udhëtonin, “Ayala Zanubia”, u ndalua në Shqipëri në muajin nëntor 2024, pasi autoritetet zbuluan 850 mijë litra karburant kontrabandë. Kjo situatë, që zgjat prej nëntë muajsh, ende nuk ka marrë një zgjidhje konkrete.