Klubi italian me emra ‘botërorë’, zyrtarizohet edhe djali i Alessandro Del Pieros
Sanremese po bëhet një vatër e vërtetë e emrave të njohur të futbollit botëror, të paktën në aspektin familjar. Klubi italian që garon në Serinë D, ka zyrtarizuar afrimin e Tobias Del Piero, djali 18-vjeçar i legjendës së Italisë dhe Juventusit, Alessandro Del Piero.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi ligur:
“Sanremese Calcio ka kënaqësinë të njoftojë firmosjen me Tobias Del Piero. I lindur në Torino në vitin 2007, ai do të jetë në dispozicion të trajnerit Moro. Një trekuartist që mund të luajë në të gjithë repartin ofensiv, me përvoja të rëndësishme në Spanjë me Getafen dhe Alcorcon, si dhe në Itali me Empolin. Mirë se erdhe, Tobias!”
Ky transferim vjen vetëm pak ditë pas afrimit të Filippo Gattusos, nipit të ish-kampionit të botës, Gennaro Gattuso, i cili është portieri i ri i skuadrës. E për ta plotësuar “trininë e artë”, te Sanremese luan gjithashtu edhe Oan Djorkaeff, djali i Yuri Djorkaeff, ish-‘ylli’ i Interit dhe fitues i Kupës së Botës me Francën.
Me emra që lidhen ngushtë me historinë e futbollit botëror, Del Piero, Gattuso dhe Djorkaeff, Sanremese po ndërton një skuadër që ndonëse në Serinë D, tërheq vëmendjen për “gjenetikën” e pasur të lojtarëve të saj. Një skuadër me emër të madh në rritje, në çdo kuptim të fjalës.