Hoxha: Krimi i organizuar ka kapur Elbasanin dhe emëron drejtues në polici

Në një intervistë për Syri TV me moderatorin Edvin Parruca, kandidati i PD për qarkun e Tiranës, Arian Hoxha, foli në lidhje me shqetësimet e forta për sigurinë në vend, duke akuzuar krimin e organizuar për kapjen e strukturave të rendit dhe politike.

Elbasani është kthyer në një nyjë kyçe të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku grupet kriminale operojnë me ndikim të madh dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me politikën, duke ndikuar edhe në zgjedhje dhe emërime në polici, nënvizon ai.

“Elbasani është një nyje e rëndësishme ku operojnë grupet e rëndësishme të krimit të organizuar me ndikim kombëtar e ndërkombëtar. Organizatat kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, kanë lidhje të forta politike, ku arrijnë deri sa të nxjerrin me 20 e ca mijë vota një deputet apo deputete në parlamentin shqiptar.

Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, pra nuk është se është vetëm tani, është në mënyrë permanente dhe absolutisht ndikimi, lidhjet e tyre dhe mundësia që ata të emërojnë drejtues të tillë në policinë vendore. Pra, kanë akumuluar një ekonomi në duart e tyre nga aktiviteti i tyre kriminal. Është e parashikuar në ligj: nëse ke vetëm kontakte me pjesëtarët e krimit të organizuar, ti nuk mund të marrësh çertifikatë sigurie.” – tha Hoxha.