Greqia zbulon kufijtë e dy parqeve detare në detet Jon dhe Egje
Greqia zbuloi të hënën kufijtë e dy parqeve detare të planifikuara në detet Jon dhe Egje, me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që tha se ato do të jenë më të mëdhatë në rajonin e Mesdheut.
Athina dëshiron të krijojë parqet për mbrojtjen e gjitarëve dhe breshkave detare në Detin Jon dhe për zogjtë e detit dhe fokave në Egje, këtë vit. Mitsotakis tha se ato do ta ndihmojnë vendin të përmbushë angazhimin e tij global për të zgjeruar zonat e mbrojtura detare në 30% të ujërave të tij deri në vitin 2030.
"Ato do të na lejojnë të përmbushim objektivin... shumë përpara afatit", tha Mitsotakis. "Ato do të jenë streha të gjera për jetën nën valë", tha ai, duke shtuar se peshkimi me rrjetë në fund të detit, do të ndalohet brenda zonave.
Studimet mjedisore mbi kufijtë e parqeve u dorëzuan të hënën për konsultim publik deri më 22 shtator.
Parku i planifikuar në Detin Egje ka shkaktuar më parë tensione midis Greqisë dhe Turqisë fqinje, me të dy vendet në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë kufijw detarë.
Athina ka thënë se kufijtë e parkut janë brenda ujërave territoriale të Greqisë.
Ministria e Jashtme e Turqisë tha se Greqia po shfrytëzonte vlerat universale, siç janë çështjet mjedisore, se parqet nuk do të kishin asnjë ndikim ligjor në mosmarrëveshjet midis fqinjëve në Egje dhe Mesdhe, dhe se Turqia do të njoftojë projektet e saj për mbrojtjen e jetës detare në ditët në vijim.
“Veprimet unilaterale duhet të shmangen në dete të mbyllura ose gjysmë të mbyllura si Egjeu dhe Mesdheu”, tha ajo në një deklaratë, duke shtuar se Ankaraja ishte e gatshme të punonte me Athinën si një shtet bregdetar i Egjeut për të adresuar çdo mosmarrëveshje të pazgjidhur, ndërsa aleatët e NATO-s përpiqen të ruajnë një qëndrim pozitiv.
Parku i Egjeut, me një sipërfaqe prej 9,500 kilometrash katrorë, fillimisht do të zgjerohet rreth ishujve jugorë të Cikladeve, më në jug të Turqisë, sipas hartave që Greqia paraqiti të hënën, së bashku me studimet mjedisore.
Zyrtarët qeveritarë thanë se madhësia e të dy parqeve është 27,500 km2 dhe Greqia dëshiron t'i zgjerojë ato më tej.
Kur të përfundojë konsultimi publik, Ministria e Mjedisit do të hartojë dy dekrete presidenciale, të cilat do t'i paraqiten Këshillit të Shtetit deri në fund të tetorit, shtuan zyrtarët. Parqet do të krijohen sapo të publikohen dekretet./ Reuters.