Teoritë e konspiracionit hedhin rrënjë kur qeveria mashtron
Për dekada me radhë, CIA e ka minimizuar qëllimisht njohurinë e saj për aktivitetet e Lee Harvey Oswald-it para se ai të vriste presidentin John F. Kennedy.
Dokumente të sapozbuluara nga një task-forcë e Dhomës së Përfaqësuesve vërtetojnë se një oficer i CIA-s me pseudonimin “Howard”, emri i vërtetë i të cilit ishte George Joannides, kishte menaxhuar një grup kuban që kishte ndërvepruar me Oswald-in. CIA kishte mohuar vazhdimisht ekzistencën e "Howard"-it.
Gazetari i Washington Post Tom Jackman raportoi këtë javë se Oswald-i kishte kontaktuar një grup të mbështetur nga CIA që kundërshtonte Fidel Castro-n dhe u kishte ofruar ndihmën e tij në fshehtësi, tre muaj para vrasjes. Por këto zbulime tronditëse, dikur të hedhura poshtë si teori konspirative të pabaza, u errësuan nga përplasja publike mes presidentit Donald Trump dhe mbështetësve të tij MAGA, pas njoftimit të administratës se nuk do të publikonte dokumente mbi trafikantin seksual Jeffrey Epstein.
Këto dy ngjarje nuk janë krejt të palidhura. Devijimet e qëllimshme nga qeveria kanë kontribuuar në rënien e besimit publik ndaj institucioneve. Gjithashtu, një dekadë sulmesh të Trump-it ndaj "shtetit të thellë" ka bërë të vetën. Humbja e besueshmërisë e bën të vështirë për Departamentin e Drejtësisë apo shërbimet sekrete të bindin amerikanët skeptikë se nuk ka më informacione për t’u ndarë mbi marrëdhëniet e Epstein-it me figura të fuqishme, përfshirë vetë Trump-in.
Kjo javë tregoi edhe kufijtë e ndikimit të Trump-it ndaj bazës së tij. Të enjten, ai urdhëroi Departamentin e Drejtësisë t’i kërkonte një gjykatësi publikimin e “të gjitha dëshmive të rëndësishme” të jurisë së madhe për rastin Epstein. Kjo ndodhi menjëherë pasi Wall Street Journal raportoi se Trump-i kishte vizatuar një grua të zhveshur në një album ditëlindjeje të Epstein-it në vitin 2003. “Qoftë çdo ditë një sekret tjetër i mrekullueshëm,” kishte shkruar ai supozohet, ndonëse Trump e mohon.
Ky ndryshim qëndrimi erdhi një ditë pasi ai e quajti historinë e Epstein-it një “mashtrim” dhe sulmoi përkrahësit që kërkonin më shumë informacion. Por dëshmia e jurisë, për të cilën ai e di se ndoshta nuk do të bëhet publike, përbën vetëm një pjesë të vogël të provave që janë mbledhur. Ajo ndoshta nuk përfshin, për shembull, letrën e ditëlindjes që Trump supozohet se i ka dërguar Epstein-it.
Amerikanët kanë arsye të jenë mosbesues. Një sondazh i Reuters-Ipsos këtë javë tregoi se 69% e amerikanëve besojnë se qeveria po fsheh detaje mbi klientët e Epstein-it. Një sondazh tjetër i CNN-it tregoi se vetëm 3% e tyre janë të kënaqur me informacionin e publikuar për këtë rast.
Departamenti i Drejtësisë ka arsye të vlefshme për të mos publikuar të dhëna të papërpunuara hetimore, qoftë për rastin Epstein apo për raste të tjera. Prokurorët rrezikojnë të njollosin njerëz që përmenden rastësisht në dokumente ose për të cilët nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ngritje akuzash. Ka gjithashtu interes publik për mbrojtjen e privatësisë së viktimave.
Kjo është arsyeja pse zyrtarët e Trump-it nuk duhet të kishin ushqyer teoritë e konspiracionit rreth Epstein-it që në fillim. Tani po përballen me pasojat. Në vitin 2019, pas vdekjes së Epstein-it në paraburgim federal, e cilësuar si vetëvrasje, Trump shpërndau një postim që thoshte se Epstein-i “kishte informacione për Bill Clinton-in dhe tani ka vdekur.” Në shkurt të këtij viti, figura konservatore morën dosje të ashtuquajtura “fazë e parë” e dokumenteve të Epstein-it gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë. Prokuroja e Përgjithshme Pam Bondi deklaroi në maj se ekzistonin “dhjetëra mijëra video të Epstein-it me fëmijë” dhe përmendi një listë klientësh që e kishte në tavolinë për shqyrtim. Sot, zëdhënësit e saj thonë se një listë e tillë nuk ekziston.
Stili paranojak në politikën amerikane nuk është diçka e re. Gjatë dekadave, elitat kanë dështuar aq shpesh, sa kriza e besimit ndaj qeverisë është bërë rrënjësore. Pentagon Papers ekspozuan gënjeshtrat për Luftën e Vietnamit, ku humbën jetën mbi 58,000 amerikanë. Watergate tregoi një konspiracion që shkonte deri në majë të pushtetit.
Kur Oswald vrau Kennedy-n, tri të katërtat e amerikanëve i besonin qeverisë federale se do të bënte atë që ishte e drejtë. Që prej vitit 2007, kjo shifër nuk ka kaluar më 30%. SHBA pushtoi Irakun duke u mbështetur në informacione të manipuluara për armë të shkatërrimit në masë. Fitorja e Trump-it në vitin 2016 ishte, pjesërisht, reagim ndaj këtyre dhe dështimeve të tjera.
Në vitin 2020, 51 ish-zyrtarë të shërbimeve sekrete komprometuan besueshmërinë e tyre duke firmosur një letër publike ku deklaronin se publikimi i email-eve të Hunter Biden-it “mbante të gjitha shenjat klasike të një operacioni rus të dezinformimit.” Laptop-i që përmbante email-et ishte autentik. Ekipi i Joe Biden-it e dinte këtë, kur ushtroi presion mbi rrjetet sociale për të fshirë historitë për përmbajtjet dëmtuese. Po këta zyrtarë ndihmuan gjithashtu në fshehjen e përkeqësimit të Biden-it me shpresën që ai do të fitonte në vitin 2024.
Jo çdo teori paranojake që qarkullon në internet është e vërtetë, dhe Departamenti i Drejtësisë nuk duhet të publikojë dosje hetimore pa kriter për të kënaqur konspiracionistët. Edhe nëse dosja e plotë e Epstein-it do të hapej dhe nuk do të kishte ndonjë gjë me interes publik, kjo sërish nuk do t’i ndalonte fabulistët të krijonin teori të reja.
Por amerikanët nuk do të ishin kaq të hapur ndaj këtyre teorive nëse institucionet elitare nuk do të kishin bërë disa gabime kaq të mëdha, ose nëse liderët amerikanë do të përmbaheshin nga përforcimi i tyre. Sfida afatgjatë e qeverisë është të rindërtojë besimin e publikut. Për momentin, shumë zyrtarë po e gërryejnë atë edhe më tej. / Washington Post