Hungaria dhe Serbia bisedojnë me Rusinë për ndërtimin e një naftësjellësi
Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviç Handanoviç, ka zhvilluar një takim më 21 korrik me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, dhe ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto, për të diskutuar rreth realizimit të projektit për ndërtimin e një naftësjellësi ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Pas takimit, Gjedoviç Handanoviç deklaroi se ekziston mbështetje nga qeveritë e Serbisë, Hungarisë dhe Rusisë për këtë projekt, i cili, sipas saj, do t’i mundësonte Serbisë një burim shtesë për furnizim me naftë të papërpunuar gjatë dekadave të ardhshme, bëri të ditur Ministria serbe e Minierave dhe Energjisë.
“Ndërtimi i këtij naftësjellësi do t’i japë Serbisë mundësinë të sigurojë furnizim me naftë të papërpunuar përmes Hungarisë, duke forcuar më tej sigurinë energjetike të vendit. Diversifikimi i burimeve të furnizimit është i rëndësishëm për të qenë më të sigurt dhe më pak të varur nga një burim i vetëm, veçanërisht në kontekstin gjithnjë e më të paqëndrueshëm gjeopolitik”, tha ajo.