SYRI TV/ Vijojnë zjarret në Korçë, Devoll dhe Dukat - Flakët djegin sipërfaqe me shkurre
Jugu i Shqipërisë vijon të jetë nën pushtimin e flakëve. Situata është përkeqësuar në Devoll, që përfshiu zonën nga fshati Vërnik deri në fshatin Kapshticë. Ndërkohë, i përfshirë nga flakët vijon të jetë edhe fshati Dishnicë në qarkun e Korçës dhe Mali i Shën Gjergjit në Dukat.
Syri TV
Vijon të mbetet aktive edhe pas 24 orësh vatra e zjarrit që përfshiu zonën nga fshati Vërnik deri në fshatin Kapshticë. Rreth 50 forca të shërbimit zjarrfikës në Devoll, të mbështetur nga policia kufitare dhe banorë të zonës, po punojnë për mbajtjen e flakëve nën kontroll, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta. Sipas një bilanci paraprak, sipërfaqja e përshkuar dhe e djegur arrin në rreth 250 hektarë me bimësi të ulët dhe shkurre. Intensiteti i flakëve ka rënë, ndërkohë që mbeten aktive disa vatra të vogla përgjatë vijës kufitare të Kapshticës. Gjithashtu, nga zjarri në fshatin Vërnik janë rrezikuar dhjetëra bagëti dhe një fermë bletësh.
Për të monitoruar situatën nga afër, i pranishëm ishte edhe Genti Xhafka, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në bashkinë Devoll. Ai u shpreh se është kërkuar ndihmë nga bashkia e Korçës, Maliqit dhe Pustecit. Ndërkohë, theksoi se në rast agravimi të situatës, kanë biseduar edhe me palën greke për ndërhyrje nga ajri. Për shkaqet e zjarrit, shtoi se po bëhen hetime dhe deri më tani nuk kanë një konkluzion.
Ndërkohë, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre në malin e Moravës, pjesë e fshatit të Dishnicës në qarkun e Korçës. Për pasojë, vatrat janë përhapur edhe në pyllin që ndodhet në brendësi të tij. Sipas të dhënave, mendohet se zjarri në këtë zonë ka qenë i qëllimshëm, ndërsa policia ka shoqëruar një person në komisariat.
Gjithashtu, edhe në Malin e Shën Gjergjit në Dukat vijojnë ende flakët, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh me pisha. Flakët janë aktive prej gati 10 ditësh, ndërsa pas një ndërprerjeje të shkurtër, zjarri është riaktivizuar sërish dy ditë më parë.
Po punohet për izolimin e vatrave dhe shmangien e përhapjes në drejtim të Parkut të Llogarasë. Sipas raportimeve, situata mbetet problematike për shkak të erërave dhe terrenit të thyer që vështirëson ndërhyrjen.