SYRI TV/ Rama konfirmon ndërhyrjen në bashki: U detyrova të ndërhyj për dorëheqjet...

Kryeministri Edi Rama është justifikuar para qytetarëve për aksionin e lirimit të hapësirave publike, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për zaptimin e tyre, megjithëse pranoi se për to janë paguar taksa në institucionet në varësi të tij. Gjatë rubrikës “Sy më sy”, Rama konfirmoi gjithashtu ndërhyrjen në pushtetin vendor për dorëheqjet apo shkarkimet e drejtorëve, ndërsa komentoi edhe hetimin ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”.

Syri TV

Reagimi i fortë publik ndaj aksionit të ndërmarrë në mënyrë të papritur nga qeveria për lirimin e hapësirave publike, e ka detyruar kryeministrin Rama t’i rikthehet rubrikës “Sy më sy”, të cilën e kishte ndërprerë prej kohësh. Shefi i qeverisë pranoi se subjektet që kanë shfrytëzuar këto hapësira kanë paguar taksat përkatëse pranë autoriteteve shtetërore, duke nënkuptuar se institucionet kanë qenë në dijeni. Ndërkohë, një pjesë e madhe e ndërtimeve janë ngritur gjatë qeverisjes së tij, me leje të dhëna ose nën tolerimin e institucioneve në varësi të tij. Megjithatë, Rama u shfaq sikur nuk kishte dijeni, duke pretenduar se “nuk i kishte parë”.

Duke folur për kryeqytetin, Rama la të hapur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, për shkak të arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai konfirmoi se aktualisht ka marrë në dorë vetë drejtimin e të gjitha punëve të bashkisë.

Shkeljen e autonomisë së pushtetit vendor, Rama e pranoi edhe në deklaratat e tij për shkarkimin e drejtorëve në të gjitha bashkitë e vendit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te rasti i Vlorës, ku urdhëroi shkarkimin në bllok të disa drejtuesve.

Ndërkohë, përsa i përket projektit të rrugës Milot–Lezhë–Shkodër, një nga arteriet kryesore të vendit, Kryeministri nuk dha asnjë afat konkret për nisjen e punimeve. Kjo rrugë është kthyer prej vitesh në një makth për qindra mijëra qytetarë dhe turistë, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Në kulmin e skandalit që ka shpërthyer rreth kompanisë “Bankers Petroleum”, ku ekspertë të fushës kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi një skemë të mirëorganizuar për ndërprerjen e kontratës, Kryeministri Rama ka përshëndetur aksionin e Prokurorisë. Por ai ka zgjedhur të heshtë për faktin që institucionet shtetërore, të cilat janë nën varësinë e tij, nuk kanë reaguar për vite me radhë ndaj abuzimeve të kësaj kompanie.