Forcat izraelite nisin një ofensivë tokësore dhe ajrore në qendër të Gazës

Nga Rushdi Abualouf, BBC

Forcat izraelite kanë nisur një ofensivë tokësore dhe ajrore mbi qytetin Deir al-Balah në qendër të Gazës, duke shkaktuar një tjetër valë zhvendosjeje mes civilëve tashmë të shpërngulur nga konflikti i vazhdueshëm.

Operacioni filloi në orët e para të së hënës, vetëm pak orë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime për evakuim ndaj banorëve të gjashtë blloqeve të banimit në pjesën jugperëndimore të qytetit.

Zona është aktualisht e mbipopulluar nga mijëra të zhvendosur që kanë ardhur nga Rafah dhe Khan Younis, në jug të Gazës.

Gazetarë lokalë i thanë BBC-së se tanket dhe mjetet ushtarake izraelite hynë në qytet nga pika e kontrollit Kisufim, të mbuluara nga zjarr i rëndë artilerie dhe sulme ajrore.

Dhjetëra predha goditën lagjet Abu al-‘Ajin dhe Hikr al-Jami’, teksa forcat tokësore përparuan.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë shpërthime të fuqishme dhe dëgjohen të shtëna armësh të vazhdueshme teksa trupat izraelite avancojnë.

Mijëra banorë u larguan nga qyteti gjatë natës drejt zonës bregdetare të al-Mawasit, pranë Khan Younis-it, e cila është kthyer në një nga zonat e pakta të mbetura me strehim relativisht të sigurt në jug të Gazës.

Ka frikë në rritje mes banorëve lokalë se ky ofensivë e fundit ushtarake mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një korridor të ri, që do të izolonte Deir al-Balah nga pjesa tjetër e rajonit qendror të Gazës.

Nëse kjo konfirmohet, do të ishte aksi i tretë i këtij lloji, pas krijimit të korridorit ushtarak izraelit përmes Netzarimit në jug të qytetit të Gazës dhe aksit Morag në Rafah.

BBC-ja ka kërkuar koment nga ushtria izraelite.