Rinovimi në dyshim, Upamekano i kërkon Bayernit rritje të ndjeshme të pagës
Dajot Upamekano kërkon një rritje të konsiderueshme page për të rinovuar kontratën me Bayernin e Mynihut.
Negociatat për zgjatjen e kontratës midis kampionëve të Bundesligës dhe mbrojtësit të kombëtares franceze janë në zhvillim.
Kontrata aktuale e Upamekanos skadon në vitin 2026. Upamekano ndihet rehat në Mynih dhe ka një marrëdhënie pozitive me trajnerin Vinsent Kompani.
Megjithatë, 26-vjeçari nuk do të rinovojë me skuadrën bavareze pa marrë një rritje të ndjeshme në pagë.
Francezi beson se meriton një pagë që e konsolidon si një nga “specialistët” më të mirë në pozicionin e tij.
Klubi do të dëshirojë të shmangë një situatë si ajo me Alfonso Dejvis sezonin e kaluar, kur kontrata e tij po i afrohej skadimit dhe u arrit marrëveshja vetëm në fundin e sezonit.